Rasti i Kripores së Ulqinit: KRIPA NUK ËSHTË JETË (STUDIM)

Studimin e plotë mund ta shkarkoni duke klikuar në VEGËZËN

Fjala hyrëse

Plotë shtatë vjet (1927 – 1934) iu deshën ndërtuesve të Kripores që në prapavijën e Plazhit të Madh, në zonën moçalore, të ndërtojnë fabrikën e kristaleve të kripës. Ishte koha e një entuziazmi të madh, sepse besohej që ky projekt mund të rilindë këtë qytezë të lënë pas dore, e cila atëherë kishte 3.500 banorë.

Vërtet: për nevojat e Kripores në qytet u sollën uji dhe energjia elektrike, disa qindra njerëz u punësuan në këtë ndërmarrje të madhe, ndërsa në mesin e viteve 30’ nisi lulëzimi ekonomik i Ulqinit. Në vitin 1935 u ndërtua hoteli “Republika” në Ranë, tre vite më vonë hoteli “Jadran”, ndërsa në vitin 1939 hoteli “Ko-op”, i cili më vonë u quajt “Galeb”, hoteli më modern në tërë bregdetin e Adriatikut, u ndërtuan rrugët dhe infrastruktura tjetër e nevojshme e qytetit.

Kriporja u shndërrua në simbol të Ulqinit modern. Quhej nënë dhe ushqyese dhe së bashku me Ndërmarrjen Hoteleriko – Turistike “Riviera e Ulqinit” ishte krenaria e vendasve për dekada me radhë.

Për inicimin e një projekti të tillë nevojitej vizioni, dija dhe ndihma e madhe e shtetit. Sepse, për ta shndërruar detin në kripë, me ndihmën e erës dhe diellit, e Kriporen në kompani të suksesshme, nevojitet mjaftë kripë edhe në kokë. Formula ishte e thjeshtë: natyra, zelli dhe durimi. Ky kombinim i dashurisë gjithmonë jep rezultate të mira.

Pra, fillimi i punës së Kripores në vitin 1934 ishte pika kthyese në historinë e vonshme të Ulqinit. Ajo, që është akoma më e rëndësishme, solli mënyrën e re të të menduarit. Aty kanë punuar kuadrot më të mirë, të cilët erdhën nga i tërë vendi.  Vetëm nga Dalmacia ishin rreth 20 inxhinier.

Kriporja kishte bibliotekën për punëtorët e saj, pastaj edhe projektorin për kinema. Arkitekti i Kripores, drejtori dhe inxhinieri Ante Koludroviq, ishte kryetari i Aero – Moto klubit i cili në vitin 1938, para 83 vjetëve pra, organizoi Aero – mitingun në Ulqin!

E sa është vetëm numri i Ulqinakëve të cilët u shkolluan gjatë tetë dekadash, sa prej tyre fituan bursa të larta, punën e sigurt, pagën e mirë dhe prestigjin në shoqëri?!

Unë Kriporen e njoftova në vitin 1987, si maturant i Gjimnazit të Ulqinit. Ne, meshkujt nga klasa, punuam për të grumbulluar paratë e nevojshme për ekskursion. Atëherë u binda se çka është Kriporja: gjigant në kornizat e Jugosllavisë së madhe.

Kur ai shtet filloi të rrënohet, kur Kriporja u shndërrua në ndërmarrje partiake, kur ajo pa mëshirë është shtyrë drejtë falimentimit, kur duhej të bëhej holding në vdekje, ku s’ka as grumbullim të kripës, as punëtorë, as koncesion për ujë të detit, kur u shkatërruan pompat, u ndërpre rryma, u shiten pajisjet, unë nuk e humba shpresën. E dija që rrënjët e kësaj kompani janë të thella.

Edhe pse tani i ngjanë Vukovarit nga koha e luftës, Kriporja prapë do të ringjallet si feniksi. Tash të gjithë e dimë se ajo është vlerë turistike, ekonomike, ekologjike dhe kulturore e Ulqinit dhe e tërë vendit. Europianet me të drejtë thonë – edhe e tyrja.

Tani është momenti i duhur që përsëri të mobilizohet ky komunitet i vogël i bindur se ripërtëritja e Kripores do të thotë fillimin e epokës së re në historinë e këtij qyteti mijëvjeçar.

Mustafa Canka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…

Ministri Gjeka në KKSH: TË HAPET ZYRA EDHE NË TIVAR

Ministria për të drejtat e njeriut dhe të pakicave Fatmir Gjeka, së bashku me sekretarin shtetëror pranë kësaj ministrie Astrit Hoxha dhe drejtorin në Drejtorinë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të popujve pakcë