Para Gjykatës ekonomike në Podgoricë sot është vazhduar gjykimi kundër komunës së Ulqinit në rastin “K1”, njofton Portali Ul-info.
Përfaqësuesit e paditësit, Atlas grupit, dhe të paditurit, komunës së Ulqinit, kanë vazhduar me prezantimin e argumenteve të vet.
Për shkak të kërkesës së avokatit mbrojtës Stanko Mariq dhe përfaqësuesit të komunës Gzim Haxhibeti që gjykata edhe njëherë të shqyrtojë çështjen e legjitimitetit të paditësit, si dhe për shkak të mosardhjes së ekspertit financiar, gjykatësja Millica Popoviq ka caktuar seancën e re gjyqësore për këtë rast më 20 tetor.
Përndryshe, “rasti K1” me vite zvarritet nëpër gjyqësorin malazez. Firma “Rekreaturs”, të cilën më vonë e bleu “Atlas grupi”, ka paditur komunën e Ulqinit për prishjen para tre dekadash të objekteve në Plazhin e madh të cilët i takonin sindikatës së Kosovës.
Vlera e kërkesës paditëse ka arritur madje 10,5 milion euro.
Në gjykimin e sotëm ishin të pranishëm deputetët Dritan Abazoviq dhe Genci Nimanbegu, nënkryetari i komunës Safet Beci, shefat e klubeve të këshilltarëve të Forcës dhe PSD-së Arian Murati dhe Skender Elezagiq, si dhe gazetarët e medieve më të rëndësishme në vend.








