Në ndërtesën e komunës së Ulqinit sonte është mbajtur raundi i dytë i negociatave në mes partive nacionale shqiptare me tentim arritjen e koalicionit paszgjedhor në komunë të Ulqinit. Në këtë takim ishin të pranishëm iniciatorët e negociatave, drejtuesit e Forcës së re demokratike, si dhe liderët e koalicionit “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve.
Asnjë nga 12 pjesëmarrësit e negociatave të mbajtura sonte nuk dha deklaratë zyrtare mbi rrjedhën e tyre, përveç që takimi i radhës i këtyre partive është caktuar për të dielën.
Jozyrtarisht mësojmë se asnjë marrëveshje nuk është arritur as sonte. Burimet tona thonë që lideri i Forcës Nazif Cungu në një moment është drejtuar kryetarit të Partisë demokratike Fatmir Gjekes me këto fjalë: „Ti më bëre mua më herët kryetar të Komunës, tani do të bëj un ty“.
Ndarjen e funksioneve në koalicionin eventual të partive të përmendura shqiptare do ta bëjnë grupi i përbashkët punues, derisa grupi tjetër do të përgatis pikat programore.