Reagim i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi: Denojmë deklaratën skandaloze të ministres së Qeverisë së Serbisë

Lidhja Demokratike në Mal të Zi dënon me ashpërsinë më të madhe deklaratën skandaloze të ministres së Qeverisë së Serbisë, Snežana Paunović, e cila deklaroi se, po të ishte në vendin e Slobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”. Një deklaratë e tillë është e papranueshme, çnjerëzore dhe përbën glorifikim të politikave që sollën luftëra, krime dhe vuajtje të pallogaritshme në Ballkan.

Është alarmante që një zyrtare e nivelit ministror përdor gjuhë që kujton periudhën më të errët të historisë së rajonit. Spastrimi etnik nuk është qëndrim politik, por krim kundër njerëzimit, dhe çdo përpjekje për ta justifikuar, relativizuar apo idealizuar atë është sulm ndaj vlerave demokratike, paqes dhe të ardhmes së Bashkimit Europian.

I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë që të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të vendosur ndaj kësaj retorike të papranueshme. Deklarata që promovojnë ose justifikojnë spastrimin etnik nuk mund të kalojnë pa pasoja politike. Deri në distancimin e qartë dhe marrjen e përgjegjësisë nga institucionet e Serbisë, procesi i integrimit evropian të Serbisë duhet të përballet me masa konkrete, përfshirë bllokimin e hapave të mëtejshëm në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presim nga autoritetet e Serbisë që të distancohen qartë dhe pa asnjë ekuivok nga kjo deklaratë, si dhe të ndërmarrin përgjegjësi politike deri në shkarkimin e ministres nga detyra. Çdo heshtje ose përpjekje për ta relativizuar këtë retorikë do të dëshmonte se Serbia ende nuk është shkëputur nga mendësia dhe politikat që prodhuan krime të rënda gjatë viteve ’90, duke minuar seriozisht përpjekjet për pajtim, stabilitet dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon.

Lidhja Demokratike në Mal të Zi mbetet e palëkundur në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, të drejtave themelore dhe vlerave evropiane. Ballkani ka nevojë për dialog, respekt dhe bashkëpunim, jo për rikthimin e ideologjive që historia i ka dënuar njëherë e përgjithmonë.

 

KRYETARI,

Mr. Saubih Mehmeti, ing. i dipl. i teh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi