Republika kusare e Ulqinit: ALI HOXHA, SUNDIMTAR I ADRIATIKUT

Pjesa nga libri në botim “Republika kusare e Ulqinit” të Mustafa Cankës

 

 

Në fillim të gushtit 1718, kur ende s’ishte tharë as ngjyra në faqet e Traktatit të Pozharevcit, Venediku sulmoi Ulqinin me të gjitha forcat. Ky ishte sulmi i tretë dhe i fundit i pasuksesshëm, pas atyre të viteve 1663 e 1696.

Prandaj s’i mbetej gjë tjetër, veçse të vazhdonte me përpjekjet e saj tinëzake për të ndaluar hovin e tregtisë dhe të detarisë së ulqinakëve. E gjithë kjo shtoi mosbesimin te venedikasit, të cilët gjithmonë i vënin interesat vetjake mbi detyrimin e tyre për të respektuar kontratën. Ulqinakët u organizuan shumë shpejt dhe në pranverën e vitit 1719 pesë anije të tyre mbërritën në Venedik.

Me të kuptuar se edhe në paqe po humb betejën konkurruese me ulqinakët, se, ashtu siç është larguar nga pothuajse i gjithë Mesdheu, do të largohej shpejt edhe nga Adriatiku, ajo i kërkoi Portës të ndalonte hyrjen e tyre në Venedik dhe në portet e Istrës. Republika e Venedikut merrte nga Shqipëria sasi të mëdha mallërash të ndryshme tregtare, si për ushqim, ashtu edhe lëndë të pare dhe prodhime gjysmë të gatshme për industrinë vendase.

Ulqinakët u kundërpërgjigjën duke ringjallur lidhjet me portet e tjera të Adriatikut dhe Jonit, duke organizuar një rrjet tregtar, duke futur mallin “në të zezë“ në Venedik, duke emëruar përfaqësuesin e tyre në Portë, por edhe duke përdorur kusarët në atë luftë të heshtur. Turqia donte gjithashtu marrëdhënie të mira me fqinjët e saj dhe ishte e përkushtuar të respektonte traktatin e nënshkruar të paqes. Ajo bëri përpjekje të mëdha të mbante marrëdhënie të mira me Republikën e Venedikut, me të cilën nga viti 1463 zhvilloi shtatë luftëra që zgjatën plot 68 vjet. Guerilët që vepronin në shek. XVII dhe veçanërisht në shek. XVIII ishin vërtet kusarë në sytë e administratave lokale, të cilat miratonin ekspeditat e tyre dhe vareshin nga fitimet e tyre, veçse në Stamboll ata tani perceptoheshin si banditë e rebelë.

Prandaj Porta e Lartë ishte e pamëshirshme: aty nga fundi i vitit 1719, sulltan Ahmedi III urdhëroi Pashain e Shkodrës të digjte disa anije kusare ulqinake që pengonin lëvizjen e lirë të mallërave të anijeve franceze, angleze, gjermane, venedikase, holandeze dhe dubrovni kase.

Mirëpo, pas vitit 1720, pashallarët e Shkodrës praktikisht u pavarësuan dhe shpeshherë s’i vinin veshin urdhërave të Stambollit si dhe  ndihmonin hapur ulqinakët dhe detarinë e tyre. Duke u mbështetur në guximin dhe fortifikimet e tyre të forta, ata krijuan një komunitet, i cili, duke qenë i dobishëm për Perandorinë, ruante privilegjet dhe vetëqeverisjen e gjerë lokale, bile edhe mënyrën e tij të jetesës. Një fisnik venedikas deklaroi në vitin 1721 se “s’ka sundimtar në botën e krishterë që nuk është turpëruar nga shthurja e paturpshme e ulqinakëve”.

Prandaj Portës u desh të merrte masa më konkrete ndaj tyre. Në vitin 1722, sulltani i kërkoi administratorit osman në Shkodër që kapedani kusar Kara Mustafa reis dhe dy persona të tjerë nga Ulqini të dënohen për “marrje të paligjshme të mallit të tregtarëve dubrovnikas, përndryshe do të vriten”. Në urdhër thuhej që “të vihet rregulli në Ulqin njëherë e përgjithmonë”. Të gjitha anijet ulqinake të ndërtuara pas vitit 1718 duhej të digjeshin, me hetim duhej të zbuloheshin ata që merreshin me kusari dhe të dëboheshin në Qipro, ku do të futeshin në burg për aq kohë sa të dojë sulltani.

Në shtator të vitit 1722, Porta dërgoi një kapixhi bashë në Ulqin për t’i vënë zjarrin anijeve kusare dhe për të dëbuar kapedanët. Disa kusarë ulqinakë arritën të ikin me anije në Berberi, kryesisht në Tripoli. Ata kishin kushërinj në atë qytet, por edhe marrëveshje tradicionale me reisët në Tripoli për ndihmën e shoqishoqme.

Në mesin e këtyre kusarëve, më me nam e më në zë ishin Ali Hoxha dhe Hasan Rozni, të cilët dilnin shpesh në Adriatik me tartanat dhe fustat e tyre me ekuipazhe prej 120-130 vetësh. Në grupin e Ali Hoxhës, i cili u martua përsëri në Tripoli, ishin vëllezërit Husejni e Ibrahimi dhe djali Mehmedi, me të cilët sulmoi një anije angleze në ujërat shqiptare, duke kapur rob ekuipazhin e saj, si dhe një anije franceze, duke plaçkitur 1600 cekinë. Në gusht të vitit 1723, dubrovnikasit iu ankuan dizdarit të Ulqinit se kusarët ulqinakë po plaçkisin gjithçka që u del përpara. Ata thonin se do të jenë të detyruar të ndërpresin tregtinë me Ulqinin nëse kjo situatë do të vazhdonte.
“Sipas rregullit, dubrovnikasit u drejtoheshin autoriteteve të Ulqinit, edhe pse dihej që ata kohë pas kohe bashkëpunojnë me kusarët. Stambolli është larg, prandaj ishte më e leverdishme që të ruheshin sadopak marrëdhëniet paqësore me ulqinakët, për të mirën e përbashkët.
Mirëpo, në rastin e shkeljeve më të rënda dhe në kohërat kur sulmet ishin më të shpeshta, dubrovnikasit nuk ngurronin të padisnin ulqinakët në Portë”, thotë historiania dubrovnikase Vesna Mioviq, duke shtuar se “edhe shtetet më të forta se Dubrovniku u munduan pa sukses t’i dalin në krye kusarëve ulqinakë”.

Përreth Dubrovnikut, të cilin e njihte në pëllëmbë të dorës se merrej edhe me tregëti, Ali Hoxha vazhdoi të bëjë kërdi edhe në tre vitet e ardhshme. Pas kësaj, ai vinte shkurt në Ulqin, ku jetonin prindërit e tij, kurse anijet i ankoronte në Valdanos ose në Shëngjin (San Giovani di Medua). Në një dokument të Portës së Lartë të majit 1725, Ali Hoxha përshkruhet si “burim i ndasive dhe dëmit”. Thuhet se ai bashkë me vëllanë dhe disa shokë të tij, në portin e Vlorës, rrëmbeu një gali franceze me 800 napolona, një anije britanike dhe një anije dubrovnikase, plaçkiti mallin e robëroi ekuipazhet dhe ia mbathi për në Tripoli. Prandaj kërkohej arrestimi i tij nga autoritetet e atjeshme.

Atë vit, edhe Franca kërkoi “kapjen dhe pushkatimin e kapedanit kusar nga Tripoli, Ali Hoxha, i cili vrau shumë pjesëtarë të ekuipazhit francez dhe fundosi anijet e tyre, pasi ua rrëmbeu ngarkesën”. Në fillim të shtatorit, kapixhi basha erdhi nga Stambolli me të njëjtën kërkesë. Mirëpo, i zemëruar nga demonstrimi francez i forcës në hapësirën detare të Tripolit, Ahmed Pasha Karamanli i shpërfilli të gjitha këto kërkesa. Urdhri i Portës për kapjen dhe pushkatimin e Ali Hoxhës u dërgua sërish.

Aty nga fundi i vitit 1725, sulltani lëshoi dy fermanë drejtuar pashait të ri të Shkodrës, Arsllanit: njëri Dokument osman lidhur me Ali Hoxhën, kishte të bënte me Ali Hoxhën, kurse tjetri me vendësin e tij, Bego Bobotin, i njohur edhe si Bego Ulqinaku. Sipas këtyre fermanëve, vëllai dhe djali i Ali Hoxhës duhej të burgoseshin, derisa të liroheshin shtetasit dubrovnikas të zënë rob. Të gjendej flluga dubrovnikase e rrëmbyer nga Begoja dhe të kompensohej dëmi i shkaktuar nga plaçkitja. Për të ndaluar të tjerët të merren me kusari, sulltani kërkoi që kadiu i Ulqinit të përpilonte një dokument gjyqësor, në të cilin ulqinakët që janë pronarë anijesh, do të obligoheshin dhe do të garantonin për njëri-tjetrit se s’do të merreshin me kusari. Me ton shumë të ashpër, sulltani paralajmëroi Arsllan pashain se me nënshkrimin e Traktatit të paqes në Pozharevac në vitin 1718, shteti osman mori përsipër t’u merrte anijet kusarëve ulqinakë dhe, në rast nevoje, t’i digjte, ashtu si çdo anije tjetër të sapondërtuar.

Pavarësisht nga kjo, edhe vitin e ardhëshëm Bego Boboti (të cilin në nëntor venedikasit u munduan ta helmojnë me ushqim) vazhdoi të bënte kërdi nëpër Adriatik. Gjithashtu edhe Ali Hoxha, me pesë fusta të
armatosura, bënte kërdi përreth Hvarit, pranë Senigallisë (Itali), në Kep të Rodonit dhe përreth ishullit të Zakinthosit. Ky i dyti vazhdoi aksione të ngjashme në detin Jon edhe një vit më vonë. Në një dekret nga Stambolli, bejlerëve të Janinës dhe të Delvinës u kërkua që të “dënohej kjo bandë hajdutësh shqiptarë” (Arnavud taifesinin cezadanidili emredilimsil) për shkak të sulmeve të Ali Hoxhës ndaj tregtarëve venedikas.

Pas ankesave të përsëritura të dubrovnikasve në Stamboll, për aksionet e Bego Bobotit dhe të grupit të tij, u dogjën shtëpitë e të akuzuarve në Ulqin më 1726, kurse dëmi u kompensua nga agallarët ulqinakë. Përfaqësuesi i Portës dërgoi kokën e Arsllan pashait në Stamboll (ajo u ekspozua në sarajin e sulltanit), kurse një grupi të madh ulqinakësh u vuri prangat dhe i dërgoi në galera.

Agallarët e Ulqinit njoftuan dubrovnikasit se kishin arrestuar Jusuf reisin dhe se po e kthejnë mallin që ai kishte plaçkitur nga një anije dubrovnikase në maj të vitit 1727. Krerët e Ulqinit, Tivarit dhe Shkodrës u zotuan të paguajnë gjoba të rënda nëse ndokush prej tyre i shkakton dëme anijeve dubrovnikase. Ulqinakët, si më të rrezikshmit, garantuan me 20000 realë, tivarasit me 15000, kurse shkodranët me 5000 realë më pak.

Sulltani e cilësoi Ali Hoxhën si “burim i të gjitha dëmeve”, duke pranuar me pafuqi se ai ishte i pakapshëm. Në vitin 1730, administratori i  Shkodrës, Ahmet Pasha, kërkoi që Ali Hoxha dhe ndihmësit e tij të dënoheshin për sulmin ndaj detarëve venedikas.

Një nga aksionet më të famshme të Ali Hoxhës daton në atë vit, kur ai me të birin dhe dy tartanat e tyre mbajtën të mbyllur hyrjen në detin Adriatik për gjashtë muaj. Në Itali thuhej në atë kohë se ky kusar ulqinak u bë “sundimtar i Adriatikut” (Ali Hoggia, padrone dell’Adriatico).

Në verën e vitit të ardhshëm, ai rrëmbeu disa barka në rrethinën e Dubrovnikut, por edhe zuri rob 42 njerëz dhe i mori me vete në Tripoli. Meqenëse atje ishin tashmë nënshtetasit dubrovnikas që ai i kishte kapur në vitin 1726, numri të rrëmbyerve mori përmasa alarmuese.
Menjëherë pas aksionit të fundit kusar në vitin 1731, veziri i madh, Topal Osman Pasha, u kërkoi autoriteteve në Tripoli që të lironin menjëherë dubrovnikasit e rrëmbyer. “Nëse nuk sigurohet mbrojtja e Portës së Lartë, do të shkatërrohemi, sepse çdo ditë dëgjohen lajme të reja për anije të rrëmbyera në det”, i shkruanin dubrovnikasit përfaqësuesit të tyre në Stamboll.

Një vit më vonë, Ali Hoxha sulmoi anijen perastase të Nikolla Klimanit, e cila po kthehej nga Korfuzi. Anija mbante mallra me vlerë 1570 cekinë, kurse shpagimi i anijes dhe ekuipazhit kushtonte 1700 cekinë shtesë. Në Pulia, Ali Hoxha, duke vepruar me katër fustat e tij, rrëmbeu një tartanë dhe një marcilianë.

Në vitin 1733, për shkak të protestave të shumta të ambasadorëve, u nxorr një ferman, drejtuar beut të Tunizisë, Hysejn ibn Aliut, që e gjithë Perandoria Osmane të kapë “gjallë a vdekur atë kusar të tmerrshëm”.

Ali Hoxha iku në ndërkohë nga Afrika dhe erdhi në Ulqin me grupin e tij dhe vazhdoi aksionet në Dalmaci. Sulltani urdhëroi që çdo kusar që del në det nga Ulqini të gjobitet me 6000 dukatë.

Për shkak të interesave të saj tregtare, Anglia dërgoi një ekspeditë në Shqipërinë e Jugut në vitin 1736, e cila arriti të shpartallojë këta kusarë. Pas kësaj ngjarje, çdo anije ulqinake që kalonte pranë ishullit të Sazanit o shpellës „së tij“ të famshme në gadishullin e Karaburunit, në kujtim të Ali Hoxhës, lëshonte në det një bukë dhe një shishe vaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi