Republika kusare e Ulqinit: ULQINAKËT, FËMIJËT E KUJT?

Pjesë nga libri Republika kusare e Ulqinit, të autorit Mustafa Canka.

 

Pas Luftës së Qipros në vitin 1573, pushuan betejat e mëdha detare në Mesdhe dhe vatra e konfliktit u tkurr në kusari të harbuar. Derisa në tokë ruhej një përfytyrim i paqes, në det bëheshin luftëra të vogla. Sidomos në detin Adriatik, atë Mesdhe të vogël, ose botë të vogël, siç e quan R.D. Kaplan. Hartografi i Sulejmanit të Madhërishëm, detari dhe kusari, Piri Reis, e cilëson Adriatikun si pjesën kryesore të Mesdheut, që lidh Lindjen me Perëndimin tash mijëra vjet.

Konfliktet zhvillohen kryesisht në anën lindore të tij. Zaten, anijet ishin të detyruara të lundrojnë përgjatë kësaj ane të bregut, pasi ana përballë, ajo italiane, ishte e pathyer, me shumë pak porte, ndaj në rast stuhie s’mund të siguronte mbrojtjen e duhur. E ana lindore, me portet natyrore, gjiret, deltat e lumenjve dhe ishujt e shumtë, ishte e përkryer për lundrim.

Në shekujt XVI dhe XVII, deti ishte i pafund; hapësira e zënë nga njerëzit simbolizohej vetëm nga disa viza dhe fortifikata të vogla. Të lundrosh do të thoshte bregut t’i rrish pranë, “të endesh nga shkëmbi në shkëmb si gaforre”, “nga kepi në ishull dhe nga ishulli në kep”.

Lundrimi afër bregut, nga ku shihet toka, nënkuptonte gjetjen e shpejtë të strehimit nën hijen e topave të një kulle a pallati të një kështjelle n’rast se vërehej afrimi i një anijeje të dyshimtë, ofronte siguri kur s’kishte zgjidhje tjetër pos braktisjes së anijes dhe mësymjes drejt tokës, si dhe marrjen e informatave për rreziqet në kohë reale.

Përgjatë historisë, detaria ka qenë një nga profesionet kryesore të ulqinakëve, zanati i detarisë qarkullonte në damarët e tyre. Këtu gjithmonë vlente rregulli i ashpër detar: Navigare necesse – vivere non necesse (Është e nevojshme të lundrosh, s’është e nevojshme të jetosh).

Ulqini është fëmijë i detit. Mbrojtësi i tij është Bindi, perëndia ilire e detit dhe e ujit. Deti i solli këtij qyteti prosperitet ekonomik e kulturor dhe rëndësi në rrafshin mesdhetar. Aty të gjithë njerëzit ishin gjithmonë të mirëseardhur, pa marrë parasysh se nga vinin, çfarë race, feje apo kombi ishin, sidomos ata që ishin të dobishëm për këtë komunitet të vogël.

Detarët ulqinakë s’kanë ndjekur shkollat detare, por kanë ditur të drejtohen me busull dhe harta. Njohja e shkëlqyer e bregdetit, orientimi i hatashëm në det dhe një dozë e lindur fatalizmi janë arsyet kryesore të arritjeve të tyre. Suksesi, mbi të gjitha, ishte rezultat i praktikës së gjatë në det. Kapedaneria ishte, si rregull, e trashëgueshme, nga babai te djali.

Përkundër aksioneve të tyre të tmerrshme kusare, ulqinakët nderoheshin në të gjithë Mesdheun si detarë të zotë. “Emri Ulqinak respektohej në mbarë Turqinë. Sulltanët u kërkuan të jenë në flotën e tyre”, shkruan konsulli francez në Shkodër, Jasen Ekar. Për meritat e tyre të shumta për Perandorinë Osmane, guximin dhe simpatinë që gëzonin në Portën e Lartë, ulqinakët, sipas historianit B. Hrabak, u quajtën edhe – fëmijët e sulltanit! “Edhe pse kryesisht kusarë, ulqinakët kanë gëzuar gjithmonë mbështetjen dhe mbrojtjen e sulltanit”, shton ai.

Nga ana tjetër, në një pjesë të madhe të Adriatikut, ulqinakët mbaheshin për “fëmijët e pamposhtur të dreqit që kanë guximin e ujqërve dhe dinakërinë e dhelprave”.

Manifestimet e rrëmujës dhe terrorit të shkaktuara nga sulmet e piratëve nga “vendi i tyre famëkeq” (nido infame di corsari), jetojnë ende në kujtesën kolektive në brigjet italiane të Adriatikut. Për banorët e provincës italiane të Teramos, fjala duggenott (ulqinak) është ende sinonim i kusarit!?

Kontributin më të madh për këtë e dha Sinan Pasha, i cili nga viti 1580 deri në vitin 1596, pesë herë ose gjithsej 7.5 vjet, ishte vezir i madh i Perandorisë Osmane. Si admiral i flotës detare osmane dhe shqiptar me origjinë, ai njihte shumë mirë cilësitë e detarëve ulqinakë.

Koxha Sinan Pasha veçanërisht kishte konsideratë për kusherinjt e tij, pjesëtarët e familjeve të njohura ulqinake, Bruti dhe Bruni, nga të cilët, për shembull, Bartomoleo Bruni, ishte kryeministër i Moldavisë, vasale e Turqisë. Ata ishin edhe përkthyes në Pallatin e Stambollit dhe ndërmjetës të privilegjuar midis Perandorisë Osmane dhe vendeve evropiane.

Ky vezir i madh me nam kishte toka në Shtoj dhe la vakëfe të rëndësishme në Ulqin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi