Resulbegoviq: Jemi të bindur se Aleanca Evropiane do të bëhet shpejt forca më e fuqishme në skenën politike

Partia Socialdemokrate (SDP), Socialdemokratët e Malit të Zi (SD) dhe Partia Liberale (LP), me mbështetjen e organizatave të shumta qytetare, individëve të lirë dhe intelektualëve, kanë formalizuar bashkëpunimin duke nënshkruar Memorandumin për krijimin e subjektit të ri politik me emrin “Aleanca Evropiane” në një ngjarje solemne në Podgoricë.
Aleanca u prezantua më në detaje nga drejtuesit e subjekteve politike që e përbëjnë këtë aleancë dhe intelektualët e pavarur, të cilët gjatë një paneli përpara më shumë se 500 delegatëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të mbledhur në Qendrën Muzikore, shpjeguan motivet për krijimin e Aleancës, qëllimet, vlerat dhe prioritetet që çuan në krijimin e këtij entiteti politik.
Për strukturën e aleancës, hapjen dhe gjerësinë e saj foli kryetari i Partisë Socialdemokrate (SDP), Ivan Vujoviq.
Vujović theksoi se formimi i Aleancës Evropiane nuk është rastësisht në Ditën e Luftëtarit.
“Dëshiruam të tregojmë se janë të rrezikuara vlerat themelore antifashiste mbi të cilat bazohet Mali i Zi,” tha Vujoviq.
Ai theksoi se këtë betejë mund ta fitojmë vetëm me forca të bashkuara.
“Ne kemi treguar se dimë të drejtojmë shtetin në një periudhë të rëndësishme të historisë së tij, kemi arritur së bashku arritje kapitale dhe historike duke drejtuar shtetin – ripërtëritja e pavarësisë, anëtarësimi në NATO, pranimi në BE… Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm për shumë efekte anësore dhe gabime që kanë shoqëruar këto arritje,” tha Vujoviq.
Sipas tij, duhet të kuptojmë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë probleme të këtij shoqërie dhe që për këtë duhet të hapim sytë dhe të japim përgjigje për këto çështje.
“Jam i bindur se Aleanca Evropiane si forca më e re politike evropiane do të jetë shumë shpejt forca më e fuqishme në skenën politike të Malit të Zi,” tha Vujoviq.
Kryetari i Socialdemokratëve të Malit të Zi (SD), Damir Shehoviq, tha se do të përpiqen t’u ofrojnë qytetarëve të Malit të Zi një vizion të ri rreth të cilit synojnë të mbledhin gjithçka që është qytetare dhe evropiane në Mal të Zi.
Ai theksoi se dallimet midis SDP dhe SD nuk kanë qenë kurrë thelbësore.
“Shtëpia jonë po digjet dhe kur shtëpia digjet, banorët sigurisht nuk do të debatojnë mes tyre nëse është më i mirë futbollisti Ronaldo apo Messi, por do të mbrojnë shtëpinë,” tha Shehoviq.
Si prioritet i aleancës u theksuan çështjet ekonomike dhe identitare, për të cilat foli kryetari i Partisë Liberale (LP), Vatroslav Belan.
“Ne jemi anëtarë të NATO-s, nesër do të jemi anëtarë të BE-së dhe ne do të krijojmë një ekonomi të fortë, do të ndërtojmë një frymë të fortë sipërmarrëse në të cilën të gjithë këta njerëz do të jenë të aftë të krijojnë ndërmarrjet dhe bizneset e tyre të vogla. Për të arritur këtë moment, duhet të ndërtojmë institucione. Duhet të ndërtojmë institucione që do të mbrojnë Malin e Zi, pa marrë parasysh kush është kryeministri, dhe shpresoj që të jetë dikush nga ne tre,” tha Belan.
Aleanca Evropiane është një aleancë mbipartiake, Deklarata Programore e së cilës mbështetet në përcaktimin kushtetues të Malit të Zi si një shtet qytetar, ku mbajtësit e sovranitetit janë qytetarët, dhe përkatësitë e tyre të ndryshme kulturore duhet të kultivohen si pasuri dhe avantazh. Siç u theksua në konventën themeluese, Deklarata e Aleancës Evropiane parashikon gjithashtu forcimin e kohezionit shoqëror përmes dialogut të hapur shoqëror me të gjitha lëvizjet qytetare, organizatat dhe individët që afirmojnë vlerat e përfshira në të, dhe në planin e politikës së jashtme, afirmimin dhe nxitjen e realizimit të anëtarësimit të plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e detyrimeve aleate në kuadër të NATO-s.
KK PSD Ulqin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi