Kumtesë për opinion e Forumit rinor të Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH).
Ndërtimi i “egër” për shumë vite ishte problem serioz në Ulqin. Derisa me ndërtimin e shtëpive private dhe apartamenteve për mysafirë u krijuan kushtet elementare jetësore për shumë familje dhe u pasurua oferta turistike e Ulqinit, ndërtimi pa kriter i banesave për shitje, në shumë aspekte, kishte ndikim negativ. Përveç që u rrezikua seriozisht pamja dhe bukuria e Ulqinit, edhe cilësia e jetës në këtë qytet është në rënie. Rrugët e ngushta, mungesa e infrastrukturës dhe gjelbërimit, ballkonet e shtëpive dhjetëra vjeçare me pamje në mure dhe pa rreze dielli janë vetëm disa nga efektet negative të ndërtimit paplan dhe të tepruar të banesave.
Një pjesë të fajit për këtë situatë e mbajnë edhe pushtetet e mëparshme lokale, të cilët, për shumë arsye, nuk i kushtuan vëmendje të mjaftueshme miratimit të planeve urbanistike dhe “mbyllen sytë” para interesave të lobit të ndërtimit.
Për 20 muajt e pjesëmarrjes së UDSH-së në pushtet, Kuvendi i Komunës së Ulqinit miratoi katër ndryshime dhe plotësime të Planeve Detaje Urbanistike (PDU) dhe një të ri për lokalitetin Kodra 1, tre Studime të lokacionit për vendbanimet turistike në Krruç, Lima dhe Bashbylyk, si dhe Projektin Urbanistik për Hotelin “Mediteran”. Poashtu, gjatë kësaj periudhë u miratua Plani Strategjik i Komunës së Ulqinit, ndërsa pas plotë shtatë vitesh pritje, miratuam edhe Planin Hapësinor Urbanistik të kësaj Komunë.
Njëkohësisht, përkrahëm hartimin e Studimeve shtetërore për tre lokacione në Plazh të madh, me të cilët do të mundësohet valorizimi cilësor i kësaj pjese të bregdetit, me hapësira për turizëm, sport, rekreacion, shërbime publike dhe gjelbërim urban.
Pra, gjatë kësaj periudhë iniciuam, hartuam dhe miratuam më shumë Plane se të gjithë pushtetet tjera së bashku në kohën kur UDSH ishte pjesë e opozitës.
Por, ne nuk do të kënaqemi me kaq. Do të ecim më shpejt në zbatimin e programit dhe vizionit tonë për Ulqinin që duam. Për Ulqinin me më shumë kapacitete turistike dhe më pak ndërtesa banimi, me më shumë gjelbërim dhe kënde lojërash dhe më pak beton. Për Ulqinin sipas qejfit së qytetarëve e jo sipas interesit të lobeve të ndërtimit!