Rrjeti i OJQ-ve të Ulqinit: Mbrojtja e Plazhit të Madh – detyrim ndaj gjeneratave të ardhshme

Reagim i Rrjetit të shoqatave joqeveritare të Ulqinit.

 

Sektori civil shpreh shqetësimin e tij lidhur me rrezikun që i kanoset Plazhit të Madh, një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të qytetit të Ulqinit, për shkak të vendimeve të nxituara dhe mungesës së transparences në këtë proces.

Qeveria e Malit të Zi, duke negociuar fshehurazi projektin e ashtuquajtur të valorizimit të Plazhit të Madh, ka vënë në rrezik parimet thelbësore të lirisë, kompetencave lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Një proces i tillë, i përshkuar nga mungesa e transparences dhe shmangia e komunitetit lokal, bie ndesh me të gjitha planet urbanistike ekzistuese dhe mund të sjellë pasoja të parikuperueshme për mjedisin dhe shoqërinë.

Duke rikujtuar edhe një here vlerën e Plazhit të Madh dhe florën e faunën e tij unike, e cila është thelbësore jo vetëm për Malin e Zi por për gjithë Mesdheun dhe Evropën, ne besojmë se Qeveria e Malit të Zi duhet të marrë parasysh rekomandimet e opinionit profesional dhe të kolegëve nga sektori civil, si dhe të pranojë përfundimet e Kuvendit të Komunës së Ulqinit.

Devijimi nga planet urbanistike dhe promovimi i projekteve që nuk reflektojnë interesat e qytetarëve paraqet një rrezik të madh për ruajtjen e trashëgimisë natyrore. Gjithashtu, shkeljet e protokolleve dhe konventave nacionale dhe ndërkombëtare, sidomos Konventës së Aarhusit, ngre në pikëpyetje serioze mbi legjitimitetin dhe qëllimin e vërtetë të këtij procesi.

Investitorët potencialë duhet ta kuptojnë që projekte të përmasave kaq të mëdha nuk mund të realizohen pa mbështetjen dhe pjesëmarrjen aktive të komunitetit lokal. Historia ka treguar se qyteti i Ulqinit ka një traditë të forte rezistence në mbrojtjen e të drejtave komunale dhe të trashëgimisë së tij kulturore e natyrore. Ky qëndrim i palëkundur do të vazhdojë edhe tani, pasi Plazhi i Madh nuk është thjesht një hapësirë e zakonshme, por një pjesë themelore e identitetit dhe e prosperitetit të komunitetit lokal.

Sektori civil apelon tek institucionet kompetente që të marrin parasysh rekomandimet e ekspertëve dhe zërave nga sektori civil, si dhe të respektojnë vendimet e Kuvendit të Komunës së Ulqinit. Nuk mund të lejohet që Plazhi i Madh të sakrifikohet në emër të premtimeve të paqëndrueshme për zhvillim ekonomik. Hapësira nuk është burim i pashtershëm, dhe shfrytëzimi i papërgjegjshëm i saj mund të sjellë pasoja të pakthyeshme për gjeneratat e ardhshme.

Prandaj, sektori civil thekson se ky proces duhet të ndalet menjëherë, dhe të hapet një dialog i sinqertë dhe i hapur me komunitetin lokal. Ruajtja e Plazhit të Madh nuk është vetëm një detyrë morale ndaj brezave të ardhshëm, por një domosdoshmëri për ruajtjen e identitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Ulqinit dhe Malit të Zi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi