Lidhur me pohimet e pasakta që janë paraqitur në opinion për gjoja transformimin e Radio-Televizionit të Ulqinit në studio të RTMZ-së, është e rëndësishme të sqarohet se Radio Televizioni i Malit të Zi nuk po e merr nën kontroll dhe as nuk po e mbyll këtë medie lokale. RTMZ nuk po e transformon Radio Ulqinin, por po themelon studion e vet në këtë qytet, me synim për të forcuar shikueshmërinë mediatike të Ulqinit dhe të rajonit jugor, si dhe për të avancuar informimin në nivel nacional.
Me hapjen e studios së RTMZ-së në Ulqin, qyteti dhe në përgjithësi rajoni do të fitojë një zë më të fuqishëm në Servisin apo Transmetuesin Publik, me mundësi që këto hapësira/ zyra të përdoren edhe nga mediat lokale të rajonit. Në vend që të ngushtohet hapësira mediatike, ky hap sjell mundësi rë tjera për komunitetin lokal, duke mundësuar paraqitje sa më të mirë të temave dhe ngjarjeve me rëndësi për qytetarët e Ulqinit dhe rrethinës.
Kur bëhet fjalë për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, Servisi Publik vazhdimisht është duke zgjeruar përmbajtjet në gjuhën shqipe, kështu që sot RTMZ transmeton çdo ditë Ditarin në gjuhën shqipe si dhe emisione tematike më të gjata që i kushtohen çështjeve shoqërore, kulturore dhe politike me rëndësi të veçantë për këtë komunitet. Krahas kësaj, tani kemi një radio online në gjuhën shqipe, me ç’gjë kemi përmirësuar pluralizmin mediatik dhe qasjen në informata për popullsinë shqiptare në Mal të Zi. Studioja e planifikuar në Ulqin do të kontribuojë në këtë vizion, duke mundësuar lidhje më të mirë me komunitetet lokale dhe informim më cilësor për qytetarët.
Në të njëjtën kohë, transmetuesit lokalë publikë gjithnjë mund të llogarisin në bashkëpunimin dhe mbështetjen e RTMZ-së, qoftë përmes shkëmbimit të përmbajtjeve, ndihmës teknike apo projekteve të përbashkëta që ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve mediatike lokale.
Na vjen keq që në opinion janë paraqitur dezinformata për këtë temë, në veçanti kur ato vijnë nga një gazetar me përvojë, i cili, në vend që t’i verifikojë faktet, nxjerr dhe plason përfundime të gabuara bazuar në bazë të burimeve të pavërteta. RTMZ është gjithmonë e hapur për dialog dhe shkëmbim konstruktiv të informatave, prandaj i ftojmë të gjithë të interesuarit ,që para se të japin pohime të pabaza, të njoftohen me të dhënat e sakta.
Transmetuesi Publik mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij për të informuar në mënyrë objektive dhe profesionale të gjithë qytetarët e Malit të Zi, me fokus të veçantë në diversitetin multikulturor dhe gjuhësor, të cilat janë shtylla kryesore e hapësirës mediatike në shoqërinë moderne.