Drejtori sportiv i „Otrant Olimpikut“ Skender Rexha tha se ky klub, në pjesën e dytë të kampionatit në Ligën e Dytë të Malit të Zi, do t’i luajë ndeshjet vendase në fushë të vet, për dallim nga ndeshjet e pjesës së parë të kampionatit.
„Falënderojmë Komunën e Ulqinit e cila përkrahu klubin dhe siguroi mjetet për rinovimin e dhomave të zhveshjes, e po ashtu meritë të madhe ka edhe pronari i kompanisë „Sport Bili“ Kabil Stankoviq i cili nuk kurseu makinerinë e tij në mënyrë që të plotësohen kushtet e Komisionit të Federatës Malazeze të Futbollit“, deklaroi Rexha.
Ai njëkohësisht falënderoi të gjithë donatorët të cilët ndihmuan që në afat rekord të përfundojnë punimet për rikonstruktimin e fushës dhe të objekteve ndihmëse duke theksuar se emrat e tyre do të publikohen në faqen e klubit.