Këshilltari i Forcës së re demokratike në Kuvendin komunal, Sabri Salaj, me anë të një postimi në FB, bëri krahasimin e përfaqësimit të pakicës serbe në qeverinë e porsaformuar të Republikës së Kosovës, me përfaqësimin momental të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi.
“Pakica serbe më 4% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës, në kabinetin e ri të Qeverisë së Kosovës, pas një raundi të gjatë negociatash, participon dhe bëhet pjesë e ekipit qeverisës me marrëveshje e cila përfshinë një Zëvendëskryeministër, Ministin për Administrim të Pushtetit Lokal, Ministrin për Komunitet dhe Kthim, si dhe 6 zëvendësministra”, shprehet Salaj.
Përveç kësaj, ai pohon se kjo marrëveshje parasheh realizimin e një sërë projektesh që nënkuptojnë formimin e asociacionit të komunave serbe, trajtim të veçantë gjatë procesit të privatizimit në komunat me shumicë serbe, kthimin e serbëve të zhvendosur, kthimin dhe mbrojtjen e pronës së uzurpuar, si dhe themelimin e linjës ajrore dhe hekurudhore Prishtinë – Beograd.
“Pakica shqiptare autoktone në Malin e Zi me 5%, e ç’orientuar politikisht, pa asnjë platformë dhe vizion, e përfaqësuar nga 2 deputet mandati i të cilëve i ndarë në 6 pjesë (rast unik në shkencat politike) , pa njohë asnjë trend dhe proces politik, por të fshehur pas patriotizmit folklorik, vazhdojnë avazin e vjetër me deklarata folklorike, jashtë çdo realiteti më kohën në të cilën jetojmë”, shprehet Salaj.
Sipas tij, egoja për pushtet tek shqiptarët në Mal të Zi nuk mund të zhduket më unifikimin apo koalicionet e subjekteve shqiptare por më krijimin e një platformë politike rreth së cilës duhet të bashkohen shqiptarët.