Sabri Salaj: Paraqitja e kauzës shqiptare – Lidhja e Prizrenit (4)

Sabri SalajHapi i parë që ndërmori Lidhja Shqiptare në fushën e politikës së jashtme ishte prezantimi i çështjes shqiptare nëpër të gjitha kancelaritë më të mëdha diplomatike. Çështja shqiptare nuk u përfshi në vendimet e Kongresit të Berlinit, Ajo nuk figuroi as si pikë me vete e një rëndësie imediate, e futur zyrtarisht në rendin e ditës të diskutimeve rreth tryezave diplomatike. Qe Lidhja Shqiptare e Prizrenit ajo që ua imponoi atë Fuqive, sidomos pas Kongresit të Berlinit.

Ndonëse në Berlin do të diskutohej për trojet shqiptare, delegacioni që dërgoi Lidhja Shqiptare në mbrojtje të tyre nuk u pranua të fliste. Kështu që, Lidhja Shqiptare u detyrua që prezantimin e çështjes shqiptare ta bënte nëpërmjet peticioneve, letrave, protestave, memorandumeve të ndryshme për mbrojtjen dhe njohjen e të drejtave të tyre kombëtare, të cilat nuk u morën parasysh as nga Fuqitë e Mëdha, as nga Perandoria Osmane.

Ndër lëvizjet e para diplomatike drejtuar Kongresit ishte memorandumi i Shkodrës i nënshkruar nga 500 veta në emrin e të gjithë shqiptarëve dërguar kryeministrit të Anglisë, Lordit Beaconsfield (Disraeli). Nëpërmjet memorandumit u bë një paraqitje e plotë e kauzës shqiptare përpara fuqive të mëdha, e shoqëruar me një analizë të rrethanave ndërkombëtare të kohës në shkallë evropiane dhe ballkanike.

Memorandumi kritikonte politikën mbisundonjëse të Rusisë dhe kushtet e traktatit të Shën Stefanit, kërkonte pavarësinë e Shqipërisë në pajtim me parimin e kombësive dhe formimin e një komisioni ndërkombëtar që të ngarkohej me këtë çështje siç ishte bërë për Bullgarinë, mbasi shqiptarët nuk kishin besim në qeverinë osmane. Shqipëria nuk mund të përfaqësohet prej qeverisë otomane… Sikurse nuk jemi as nuk duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha fuqitë tona cilindo që do të kërkonte të na bënte sllavë, austriakë apo grekë…

Siç shihet nga ky memorandum, që u dërgua nga Shkodra në emër të gjithë shqiptarëve, synonte pavarësinë e Shqipërisë, problem që Lidhja Shqiptare s’e kishte prekur akoma. Kjo tregonte më së miri se ideja e pavarësisë ishte vepër e mendimit politik shqiptar dhe e kishte zanafillën shumë më herët, por rilindësit shqiptarë nuk kishin mundësi veprimi për shkak të rrethanave të ndërlikuara që ishin në Ballkan, sidomos rreziku që vinte nga shtetet ballkanike dhe pretendimet e tyre territoriale në dëm të tokave shqiptare. Kështu që, kërkesa kryesore e Lidhjes Shqiptare në këtë periudhë ka qenë ajo e autonomisë brenda Perandorisë Osmane. Kjo dëshmohet më së miri në memorandumin e datës 20 qershor 1878 dërguar Bismarckut, Andrassyut dhe Lordit Beaconsfield, ku dhjetë anëtarë më të shquar të Komitetit Qendror Shqiptar të Stambollit, ndër ta iluministët e mendimit shqiptar, Pashko Vasa, Sami Frashëri, Jani Vreto e të tjerë, në emër të popullit shqiptar kërkonin që: pa cenuar të drejtat sovrane të Sulltanit, të formohej një komision ad hoc i përbërë prej shqiptarësh, i cili bën mbikëqyrjen dhe me pëlqimin e Portës së Lartë ta studionte formën dhe ta përcaktonte rregulloren e institucioneve të reja lokale në përshtatje me karakterin, zakonet dhe nevojat e vendit. Memorandumi vazhdon: Duke i paraqitur këto dëshira Kongresit dhe duke iu lutur t’i marrë parasysh, populli shqiptar proteston përpara Evropës kundër lëshimit të edhe më të voglës copëz të tokës së tij ndonjë kombësie tjetër, cilado qoftë, dhe e shpall botërisht se ai është gati t’i flijojë të gjitha forcat e veta jetësore e ushtarake për t’i qëndruar këtij vendimi të lartë, të cilin ai e mban si një detyrë të shenjtë që ia urdhërojnë e drejta dhe nderi kombëtar.

Memorandumi i Komitetit të Stambollit në thelb ishte i njëjtë me Memorandumin e Shkodrës, por ndryshonte në formë dhe përmbajtje. Kjo vinte për shkak të rrethanave ndërkombëtare në të cilën ndodhej Shqipëria. Duke parë përvojën e shteteve të tjera ballkanike ta cilat kishin kaluar nga autonomia drejt pavarësisë, i jepte të drejtë komitetit të prezantonte një zgjidhje të tillë. Kjo e drejtë nuk u mor parasysh nga Porta e Lartë, e cila e dinte rrezikun që i kanosej në rast të një autonomie për Shqipërinë. Synimi i Shqipërisë ishte pavarësia e plotë dhe shkëputja nga Perandoria Osmane.

Çështja shqiptare ishte e njohur edhe më parë nga Fuqitë e Mëdha, por arsyet pse nuk u trajtua si e tillë ishin:

Së pari, Shqipëria ishte i vetmi vend ballkanik që ishte nën Perandorinë Osmane. Pavarësia e saj do t’i jepte fund dominimit osman në Ballkan. Rusia ishte fituese e luftës dhe çdo gjë projektohej sipas rregullave të saj, kështu që kërcënimi rus përbënte problem për Fuqitë e Mëdha të cilat nuk mund të lejonin që dominimi rus në Ballkan ta zëvendësonte atë osman.

Së dyti, zgjerimi i shteteve sllave në Ballkan nëpërmjet direktivave të Rusisë përbënte problem për Fuqitë e Mëdha, sidomos për Austrinë, e cila nuk mund ta pranonte një shtet të madh sllav në Ballkan, nga i cili do të diskutohej dominimi i saj ekonomik e kulturor në Ballkan.

Së treti, shqiptarët u përdorën si karta diplomatike si nga diplomacia osmane ashtu edhe nga Fuqitë e Mëdha për zgjidhjen e problemeve në Çështjen Lindore.

Së katërti, çështja shqiptare u trajtua si pjesë e kombinaturave diplomatike ndërmjet diplomacive më të fuqishme të kohës.

Së pesti, në zgjidhjen e çështjes shqiptare nuk u respektuan asnjë nga parimet universale të drejtësisë.

Të ndodhur përpara këtyre rrethanave shqiptarët e kishin të vështirë të gjenin aleat i cili do ta trajtonte në mënyrë të drejtë çështjen shqiptare, duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare. Lidhja shqiptare vazhdonte konsolidimin e saj në të gjithë Shqipërinë duke u shndërrua në lëvizje me përmasa gjithëkombëtare për mbrojtjen e territorit të saj. Për realizimin e platformës së saj kombëtare me kërkesa politike, ekonomike e kulturore, përdori të gjithë mjetet dhe format për t’i mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar dhe për ta krijuar shtetin kombëtar. Kështu që, në sajë të Lidhjes Shqiptare, çështja shqiptare hyri në arenën diplomatike ndërkombëtare si një nga çështjet e mprehta të Ballkanit që kërkonte zgjidhje.

Për aktivitetin e saj diplomatik e ushtarak raportonin konsuj dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në rajon e më gjerë, të cilët vunë kontakte me disa nga udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare, duke përcjell me një vëmendje të plotë aktivitetin e Lidhjes. Duke parë zhvillimin e ngjarjeve në vazhdimësi, unitetin e theksuar të shqiptarëve dhe pretendimeve të tyre për ta hequr qafe zgjedhjen osmane, Kirbi Grin në prill të vitit 1880 shkruante: “Shqiptarët po punojnë së bashku pa dallim feje për ta ndaluar rënien e territorit të tyre në duart e sllavit si dhe ishte rasti i favorshëm për ta hequr qafe zgjedhjen turke. Gjithashtu, një vëmendje të veçantë për çështjen shqiptare kishin shfaqur edhe gazetat më prestigjioze të shtetit britanik, ku “The Times” botonte memorandumet e Abdyl Frashërit dhe Mehmet Vrionit, si dhe shkrimet e Pashko Vasës, i cili gjithashtu ishte kundër copëtimit të trojeve shqiptare dhe kërkonte shtetin autonom shqiptar. Po kjo gazetë bënte prezantimin e çështjes shqiptare si një problem ndërkombëtar i cili nuk mund të anashkalohej nga Fuqitë e Mëdha, ku autorë të ndryshëm trajtonin çështjen shqiptare dhe luftën e armatosur që shqiptarët e veriut kishin nisur në mbrojtje të territoreve të tyre.

Më e interesuara për zgjidhjen e çështjes shqiptare ishte Anglia, e cila nëpërmjet ambasadorit të saj në Stamboll, Goshen dhe përfaqësuesit të vet në Komisionin e reformave Ficmoris, kërkonin që Shqipëria të ishte e bashkuar dhe t’i jepej një autonomi administrative në pajtim me nenin 23 të Traktatit të Berlinit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi