SABRI SALAJ: Rusia dhe dominimi në Ballkan – ÇËSHTJA E ULQINIT (3)

Sabri Salaj WDCKy rivalitet ndërmjet Fuqive të Mëdha të cilët investonin për kohën pas largimit të Perandorisë Osmane nga pjesa evropiane, ndikoj që edhe shqiptarët t’u përshtatën rrethanave ndërkombëtare për përcaktimin e statusit të ardhmërisë së tyre politike. Lidhja Shqiptare duke parë rrethanat politike dhe konfrontimet diplomatike të shteteve të mëdha kërkonte të shfrytëzonte çdo mundësi të vogël për realizimin e autonomisë kombëtare e cila do konkretizohej më Pavarësinë e Shqipërisë.

Gazeta ruse “Novo e Vremja” në maj të vitit 1880, duke përcjellë aktivitetin e Lidhjes Shqiptare shkruante se : Lidhja Shqiptare përgatitet haptas për krijimin e Shqipërisë së Pavarur. Kjo dëshmohet në kohën kur në arenën ndërkombëtare Fuqitë e Mëdha sipas diplomacisë sekrete kërkonin zgjidhjen e problemit të Shqipërisë Veriore, Lidhja Shqiptare kishte arritur në një stad ku rruga për autonomi dhe pavarësi kishte marrë dy kahe të kundërta. Lëvizjet politike që ishin brenda Lidhjes Shqiptare diferencoheshin në koncepcionin e tyre politik, ku lëvizja konservative pro otomane nuk pajtohej më shpalljen e autonomisë për shkak të rrethanave ndërkombëtare në të cilën ndodhej Shqipëria, si dhe nga frika e copëtimit të saj nga shtetet fqinje, kurse lëvizja për autonomi dhe pavarësi të Shqipërisë kërkonte që çështjen shqiptare ta nxirrte jashtë suazave të Perandorisë Osmane dhe ta bënte problem ndërkombëtar, duke i treguar opinionit ndërkombëtar se kombi shqiptar ekziston dhe kërkon të vetëqeverisej ashtu si kombet e tjera të Ballkanit.

Me iniciativën e Abdyl Frashërit në kuvendin e Gjirokastrës më 23 korrik 1880 u diskutua çështja e autonomisë së Shqipërisë ku u mor vendim se duhet të themelohet një shtet autonom shqiptar dhe pushteti administrative të kalonte në duart e shqiptarëve. Përfaqësuesit prezent në Kuvend shprehën mendimin se ekzistenca e kombit shqiptar është e rrezikuar dhe se ardhmëria e tij mund të sigurohet vetëm më krijimin e shtetit autonom shqiptar.Ky program paraqiste një hap në zhvillimin e mendimit politik shqiptar. Po ashtu në Kuvend u mor vendim që të mbrohet Ulqini. Presioni i fuqive të mëdha, ndaj Portës për dorëzimin e Ulqinit, Malit të Zi, për Lidhjen Shqiptare ishte moment vendimtar për realizimin e vendimeve të aprovuara nga kuvendi i Gjirokastrës.

Pas Kuvendit të Gjirokastrës u konvokua edhe një një kuvend i krerëve të Lidhjes Shqiptare që ishte Kuvendi i Dibrës i cili u mblodh në tetor 1880. Ky kuvend karakterizohej nga mospajtimet konceptuale midis dy lëvizjeve shqiptare duke ngrit një tension në marrëdhënie ndërmjet tyre kur në skenën ndërkombëtare çështja e autonomisë kishte marrë një konotacion ndërkombëtar, duke u bërë pjesë e diplomacive më të mëdha të kohës.

Aksioni i diplomacisë angleze duke shpallur nevojën për një autonomi shqiptare i shërbente asaj për të shuar qëndresën e shqiptarëve vazhdimi i së cilës nuk përputhej aspak me interesat e Londrës. Austro-Hungaria donte që të shuheshin sa më parë dy vatrat e lëvizjes shqiptare në Shkodër dhe Kosovë, të cilat ishin shumë afër Bosnjës dhe Hercegovinës ku iu ndihej afshi.

Përfaqësuesi britanik në komisionin e reformave Ficmoris, e mbronte tezën e parimit të kombësive sepse sipas tij të gjitha shqetësimet që po ndodhnin në Evropën Juglindore rridhnin nga që Perandoria Osmane kishte shkelur këtë parim si dhe mosrespektimi i nenit 23 të Traktatit të Berlinit i cili parashihte një decentralizim të pushtetit në favor të autonomisë provenciale. Duke u nisur nga kjo situatë Britania e Madhe së bashku më Austro-Hungarinë u premtonin shkodranëve autonominë administrative të vilajetit të tyre “për t’i kandisur që ta pranonin humbjen e Ulqinit si një e keqe më e vogël ndër dy të këqijat”.

Një informatë interesante për bisedimet që janë zhvilluar midis qeverive të disa vendeve evropiane për çështjen shqiptare e sjell, gazeta serbe “Videlo”: “Nga Roma ka arritur një lajm i çuditshëm se midis qeverisë franceze, angleze dhe italiane tash sa kohë po zhvillohen bisedime që menjëherë pas dorëzimit të Ulqinit, të jepet propozimi që Shqipëria të shpallet e pavarur. Këtë mendim thonë e paska dhënë Gladstoni, i cili po tregon botërisht se nuk ia merr mendja t’i prishë llogaritë politike të Austrisë, por i cili fshehtas angazhohet që ta pengojë përzierjen e Austrisë në Gadishullin Ballkanik. Italisë po i ofron që në administratën e Shqipërisë, sidomos në pikëpamje financiare ta marrë atë ndikim që i takon sipas pozitës gjeografike të saj. Ndërkaq shteti shqiptar të jetë nën mbrojtjen e Fuqive të Mëdha.

Por, kjo autonomi dhe pavarësi e Shqipërisë nuk mund të realizohej pa plotësuar oreksin e Rusisë dhe monarkive ballkanike, të cilat ishin fituese e luftës me Perandorinë Osmane. Orkestrimi i diplomacisë për zgjidhjen e Krizës Lindore udhëhiqej nga Rusia e cila me satelitët e vet në Ballkan kërkonte të dominonte në Ballkan dhe Mesdhe. Rusia nëpërmjet zgjerimit të Malit të Zi në perëndim të tij, shtrinte në fakt kthetrat e veta thellë në tokat shqiptare dhe siguronte njëkohësisht baza të forta në Adriatik për të realizuar planet e veta hegjemoniste në Evropën Juglindore. Një Shqipëri e bashkuar në trojet e veta etnike i prishte punë politikës cariste sepse Rusia kërkonte të krijonte një shtet të madh sllavo – maqedon në Ballkan, tendenca cariste që në Shën Stefan. Projekti rus mund të realizohet vetëm më copëtimin e Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…