Moikom Zeqo…I mprehtë, shumëdimensional, i kultivuar. Ishte i dashuruar ndaj Ulqinit, dhe jo rastësisht libra tij e parë i kushtohet “Mujo Ulqinakut“. Emër i përveçëm i letrave, analizave dhe literaturës shqipe. Kur lexon Moikomin, humbet në një univers kompleks, me shumë dimensione, me të vërteta dhe përjetime që vetëm ai di të përcjellë.
Metaforat e Moikomit ishin vetëm të Moikomit. Elegante, të menduara hollë dhe me shumë mjeshtëri nga euriditi jonë.
Nuk u mungonte misteri. E ndoshta kjo i shton dozat e origjinalitetit dhe veçantisë literaturës moikomjane.
Poeti, jo vetëm që dinte ta thotë pastër të pashprehshmen, të padukshmen, të pakapshmen e poezisë së jetës, por shkonte më tutje, na bënte dhe ne të reflektojmë mbi nocionet, mbi pyetjet më të thella për jetën.
I adhurojmë shpirtin, i dashurojmë humanizmin dhe përpiqemi të kuptojmë mistiken mojkomjane. Dhe në fakt mistikja tek Moikomi, ishte një fakt kulturor, ishte përgjegjëse e historisë, ishte kuriozitet më vete.
Moikomi nuk binte asnjëherë në vulgaritet, por jepte argumentin e tij racional, me një shqipe të zgjedhur, të pastër dhe autentike.
Poezia e tij emanciponte mrekullonte,ndërgjegjësonte e të bënte të reflektosh mbi jetën. Moikomi ynë ishte një njeri i mendimit të nivelit europian, i përkthyer edhe ndërkombëtarisht. Vetëm diçka më ngel merak. Nuk është i njohur në botë aq sa duhej ta meritonte krijimtaria e tij.
Por ky nuk është faji i euriditit tonë. Shumë poetë, shkrimtarë, kanë ikur nga kjo jetë pothuajse të panjohur. Ama për diçka jam i qetë. Koha do ti japë vendin që meriton këtij poeti madhështor.
Për të shkruar për librat e veçantë të Zeqos duhet kohë, kujdes, qetësi dhe padyshim shumë dashuri. Sepse ai e meriton këtë dashuri. Ai vetë ka dhënë dhe jipte dashuri.
Zeqo ishte një dhuratë nga zoti, një bibliotekë e gjallë diturie dhe emancipimi. Sot ai nuk vdes ai jeton ne kujtimet tona i përjetshëm me kalorsin dardan udhë të mbarë Moikom.