Festivali i filmit SEANEMA do të realizojë të shtunën, me 10 qershor në Adë (Bunë), premierën botërore të filmit “In this Climate”. Në premierë do të jetë i pranishëm regjisori i filmit, Tomas Auksas.
Shfaqja e këtij dokumentari realizohet për herë të parë në New York, më datë 28 qershor, çka bën që premiera reale e tij të jetë pikërisht qytetin tonë, në Ulqin. Me këtë rast, organizatorët kanë përgatitur edhe një festë, menjëherë pas shfaqjes së filmit.
Festivali gjithashtu lançon SEANEMA GREEN, një segment i ri që do të trajtojë çështjen me rëndësi të vëçantë për planetin tonë, mbrojtjen e mjedisit.
Kujtojmë që festivali i filmit SEANEMA ka patur një vit promovimi të suksesshëm në festivale ndërkombëtare, duke theksuar dy festivalet më të mëdha në Evropë, në Berlin (Gjermani) dhe Kanë (Francë), si edhe është përfshirë në listën zyrtare të festivaleve nga Ministria e Kulturës e Malit të Zi dhe Qendra e kinematografisë.
*Premiera e filmit “In this climate” organizohet bashkëpunim me lëvizjen Green Culture Montenegro.