KUVENDIT TË KOMUNËS SË ULQINIT
KRYETARIT TË KUVENDIT
z. Fuad Haxhibeti
Ulqin, 26/07/2014
I nderuar z. kryetar i Kuvendit,
Me datën 17 korrik 2014, Këshilli për zgjedhje dhe emërime i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, ka shpallur Thirrjen Publike për propozimin e kandidatëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për zhvillimin dhe mbrojtjen e vetëqeverisjes lokale.
Organizatat e shoqërisë civile që në fillim kanë vërejtur se kësaj shpalljeje i mungon një element i rëndësishëm për grupet e interesuara, të vlefshme për kandidim. Pra, thirrjes i mungon informacioni për mënyrën e dorëzimit të propozimeve, respektivisht çfarë dokumentesh duhet të përmbajë një kandidaturë e plotë.
Për këtë mangësi neve e kemi njoftua menjëherë Sekretaren e Kuvendit, duke i dhënë edhe shembuj të suksesshëm nga komunat tjera në Mal të Zi, lidhur me këtë thirrje. Gjatë gjithë kësaj periudhe, me këmbëngulje kemi kërkuar që këtë informacion Shërbimi i Kuvendit ta bëjë publik sa më parë, pasi afati i paraparë kalon shumë shpejtë.
Ju njoftojmë se tek me datën 25 korrik 2014, pra pas plot 8 ditëve, jemi njoftuar nga Shërbimi për dokumentacionin që duhet të dorëzojë një propozues i kandidatit për Këshillin për zhvillimin dhe mbrojtjen e vetëqeverisjes lokale.
Vlerësimi ynë për këtë veprim është si mëposht:
Duke marrë parasysh që plot 8 ditë kemi qenë pa informacion e duhur dhe nuk kemi mundur të marrim asnjë veprim për inicimin e kandidaturave, duke ditur se pasojnë 3 ditë të festës së Fitër-Bajramit, duke ditur se dokumenti që kërkohet nga Gjykata duhet të pritet 2-3 ditë dhe së fundi, duke ditur që një vetëm një kategori e propozuesve të mundshëm (vetëm OJQ-të) janë lajmëruar me këtë informacion shtesë,
KËRKOJMË QË AFATI I DORËZIMIT TË PROPOZIMEVE (kandidaturave) TË SHTYHET DERI ME 8 gusht 2014 (për aq ditë sa thirrja ka qenë pa informacionin e përmendur).
Duke ju përkujtuar se organizatat e shoqërisë civile në Ulqin, janë të interesuara që të forcojnë marrëdhëniet e partneritetit me Kuvendin e Komunës dhe organet tjera të vetëqeverisjes lokale, ju ftojmë ta merrni në konsideratë këtë kërkesë.
Me respekt,
Nazif Veliqi, Horizonti i ri
Xhemal Peroviq, Mogul
Mustafa Canka, Ul info