Në një shoqëri demokratike, mediat luajnë një rol të pazëvendësueshëm në informimin e qytetarëve, në edukimin dhe në ruajtjen e kulturës e gjuhës së një pakice. Për ne shqiptarët në Mal të Zi, kjo përgjegjësi është edhe më e ndjeshme, sepse përmes mediave në gjuhën shqipe ne ruajmë jo vetëm të drejtën për informim, por edhe të drejtën për ekzistencë kulturore dhe gjuhësore.
Këtë vit shënuam 60-vjetorin e themelimit të programit në gjuhën shqipe në Radion e Malit të Zi, i cili paraqet një sfidë të veçantë në fushën e informimit në gjuhën shqipe. Për dekada me radhë Radio ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në pakicën shqiptare, sepse ishte për një kohë të gjatë burimi i vetëm i informacionit në gjuhën shqipe, dhe minutat e tij i prisnin me padurim shqiptarët në Mal të Zi.
Informimi në gjuhën amtare, veçanërisht për pakicat, ka një rëndësi të madhe, jo vetëm si segment informativ, por edhe si segment kulturor e arsimor. Në këtë kontekst, është thelbësore që institucionet shtetërore të Malit të Zi, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet për të drejtat e pakicave, të sigurojnë mbështetje të barabartë për mediat në gjuhën shqipe, përfshirë rritjen e hapësirës në servisin publik, investime në zhvillimin e mediave lokale, dhe krijimin e fondeve të posaçme për gazetarinë në gjuhët e pakicave.
Mendoj se roli i gazetarëve mund të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe roli i figurave publike, sepse gazetari është i pranishëm në çdo aspekt të opinionit publik dhe në të gjitha sferat e jetës.
Puna e gazetarëve është shumë e rëndësishme sepse ata janë zëri i popujve pakicë, sidomos kur pakicat kanë nevojë për hapësirë për të shprehur veten dhe për të bërë të dëgjuar zërin e tyre. Përmes mediave, pakicat mund të ndërtojnë ura komunikimi me shumicën dhe të kontribuojnë në dialogun ndërkulturor dhe ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më tolerante.
Gjithashtu, gazetarët luajnë rol kritik në denoncimin e çdo forme diskriminimi dhe padrejtësie, duke ndihmuar që çështjet që prekin minoritetet të marrin vëmendjen e nevojshme dhe të adresohen nga institucionet përgjegjëse. Përmes punës sonë, ne synojmë të nxisim vetëdijen dhe respektin për diversitetin kulturor, gjuhësor dhe fetar në Mal të Zi.
Një tjetër dimension i rëndësishëm i punës sonë është ruajtja dhe promovimi i kulturës dhe traditave të pakicës shqiptare në vend. Nëpërmjet emisioneve tona, në Radio dhe Televizionin e Malit të Zi ne prezantojmë vlerat, historinë, artin dhe gjuhën, duke ndihmuar kështu në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor për brezat e ardhshëm.
Vazhdon misioni ynë, dhe qëllimet tona janë të zgjerojmë horizontet, të bëhemi edhe më të mirë dhe me veprimtarinë tonë të vazhdueshme të pasurojmë programin në gjuhën shqipe, me dëshirën që, kur të vijë koha, të kemi një kanal televiziv të veçantë në shqip.
Pa dyshim që mund të arrijmë shumë, duke nisur nga pasurimi i programeve në gjuhët e pakicave, që kohët e fundit, për të qenë i sinqertë, ka arritur një përparim të konsiderueshëm. Një nga sfidat tona kryesore mbetet sigurimi i hapësirës dhe mjeteve të nevojshme për të gjitha pakicat, në mënyrë që ato të kenë mundësi të shprehin lirshëm gjuhën dhe kulturën e tyre në media. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me institucione shtetërore dhe organizata joqeveritare por edhe ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm për avancimin e të drejtave dhe pozitës së pakicave, e në veçanti të shqiptarëve në Mal të Zi.
Ne jemi gjithmonë të hapur për dialog dhe bashkëpunim me përfaqësuesit e pakicave, si dhe me kolegët nga mediat tjera, për të siguruar që zëri i pakicave të dëgjohet dhe të respektohet në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Në përmbyllje, mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi janë më shumë se thjesht kanale informacioni. Ato janë mbrojtëse të identitetit kombëtar, ambasadorë të kulturës sonë dhe pasqyra të realitetit tonë në një shtet multietnik. Është detyrë e secilit prej nesh të kujdesemi që kjo pasuri të ruhet, të forcohet dhe të modernizohet në funksion të një të ardhmeje më të denjë për gjuhën dhe kulturën tonë në Mal të Zi.
Në fund, dëshiroj të falënderoj kolegët e mi dhe gjithë ata që punojnë në shërbim të pakicave, për përkushtimin dhe angazhimin e tyre. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një shoqëri më të fortë dhe më të bashkuar, ku secili ndihet i respektuar dhe i përfshirë.
Senad Gilaj,
redaktor në RTMZ, Programi për pakica









