Ditët e nxehta të verës, edhe një herë, kalohen më së miri me freskinë e “Flladit” – që këtë vit vjen nga qyteti bregdetar, Ulqini. Emisioni veror i kanalit më alternativ në vend sivjet nis transmetimin nga 11 korriku, raporton „Koha javore“.
Për nëntë javë rresht, “Flladi” sjell në ekran, biseda me mysafirë, reportazhe nga vende të ndryshme evropiane, sikurse edhe materiale të tjera të ndryshme.
Emisioni me autorët Adelina Hasani dhe Amir Mjekun, do të transmetohet për çdo të shtunë me fillim në orën 20:25.
Dardan Selimaj, producent i programit në Kohavision, ka thënë se ndryshe prej vitit të kaluar që ishte realizuar në qytetin bregdetar të Durrësit, “Flladi” i verës së këtij viti, vjen nga një tjetër qytet.
“Këtë vit, ndryshe prej vitit të kaluar, emisioni do të realizohet në Ulqin. Hoteli ‘Mediteran’ është stacion i radhës i ‘Flladit”, ka thënë Selimaj, teksa ka zbuluar mysafirin e parë të emisionit veror të Kohavisionit.
“I ftuar i parë, që do të intervistohet në studion e këtij emisionit është kryetari i Ulqinit, Fatmir Gjeka”, ka thënë Selimaj. Në edicionet e tjera të ftuar të “Flladit” do të jenë personalitete të shumta nga jeta publike në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi.
E për nëntë javë rresht, emisioni do të shoqërohet edhe me muzikë. Për këtë pjesë do të kujdeset DJ Faton Dolaku.
“Ndërsa për flladitjen me koktej edhe sivjet rikthehet miksologu Arian Lushta”, ka thënë Selimaj. Ai ka shtuar se sikurse zakonisht, reportazhet edhe këtë herë do të jenë pjesë e “Flladit”.
Siç thotë Selimaj, ato vijnë nga Mali i Zi, Shqipëria, Turqia, dhe vende të ndryshme evropiane, duke i përfshirë Slloveninë, Hungarinë, Holandën, Francën, Çekinë e Gjermaninë.