Mijëra turistë mbërritën sot në rivierën e Ulqinit, ndërsa vala e mysafirëve do ta mbulojë këtë qytet në tre ditët e ardhshme.
Në pikën kufitare Sukubinë-Muriqan janë kolonat kilometrike. Meqë vapa është e jashtëzakonshme, nga administrata lokale e Ulqinit apeluan në zyrtarët policor që maksimalisht të thjeshtojnë kontrollin e hyrjes në vend.
Sot në mëngjes në disa pjesë të Ulqinit kishte ndërprerje të furnizimit me ujë, derisa këto ditë problemet me furnizimin me rrymë do të jenë më të theksuar në Plazhin e madh dhe Shtoj, sepse të gjithë aparatet elektrike në shtëpi, që kanë kapacitet rreth 60 mijë shtretër, do të jenë në funksion.
Për shkak të numrit të madh të turistëve probleme ka edhe në komunikacion në pjesën e ngushtë të qytetit, sidomos për arsye se në mes dy sezonesh nuk është bërë asnjë vendparkim i ri dhe as nuk është formuar ndërmarrja publike që do të kishte punë kryesore të kujdeset pikërisht për këtë gjë.
Qiradhënësit e apartamenteve dhe hotelierët veçanërisht ankohen për dilerët e shumtë të dhomave, sepse me këtë veprimtari profitabile në Ulqin merren gjithnjë e më shumë persona.