Të gjitha anketat tregojnë se mbi 90 për qind e mysafirëve vijnë në rivierën e Ulqinit për diellin dhe detin. Prandaj është logjike që rreth tri të katërtat e xhiros bëhen në korrik dhe gusht.
Në kulmin e sezonit në Ulqin janë çdo ditë mbi 120,000 mysafirë, gjë që shkakton rrëmujë të madhe në trafik, probleme me parkimin, ndërprerje të herëpashershme të furnizimit me energji elektrike dhe ujë. Të gjitha shërbimet komunale dhe shtetërore janë jashtëzakonisht të ngarkuara, dhe çdo turist, me të drejtë, pret që pushimet e tij të kalojnë me sa më pak stres.
Prandaj, vitet e fundit autoritetet në bashkëpunim me kompanitë e mëdha kanë ndërmarrë një sërë masash për ta bërë këtë qytet një destinacion turistik gjatë gjithë vitit, përkatësisht për të zgjatur sezonin.
Është fakt që po ndodh një hapje e mëhershme e hoteleve të mëdha, por numri i tyre në rivierën e Ulqinit vazhdon të jetë i pamjaftueshëm. Gjithashtu, është e nevojshme që disa prej tyre të kenë qendra kongresesh në mënyrë që në Ulqin, para dhe pas sezonit, të ketë shumë më tepër kongrese, trajnime, seminare…
“Ne jemi një fenomen në Mesdhe. Vetëm rreth pesë për qind e shtretërve janë në hotele, të tjerët janë në forma të tjera akomodimi. Prandaj nuk është e mundur zgjatja e sezonit, gjithçka kufizohet në dy muajt e verës. Për ne turizmi ndodh vetvetiu. Kjo duhet të ndryshojë,” thotë punonjësi i njohur turistik Ismet Karamanaga.
Ai shton se është e nevojshme të realizohen projekte të rëndësishme infrastrukturore. Njëri prej tyre është stadiumi i futbollit në Plazhin e Madh. Ulqini ka një klimë të butë dhe me karakteristikat e tij hapësinore, mund të bëhet Antalia e Malit të Zi, një vend ku gjatë dimrit mblidhen grupe të mëdha sportistësh për përgatitje dimërore.
Ata më të moshuarit kujtojnë që këtu dikur stërviteshin atletë të njohur gjatë përgatitjeve dimërore. Për të tërhequr sportistët, është e nevojshëm edhe një sallë sportive e përshtatshme me një pishinë të mbyllur.
“Sigurisht që ekziston mundësia e shumë llojeve të tjera të turizmit. Nga gjuetia, vëzhgimi i shpendëve, turizmi shëndetësor deri tek ai rural. Me pak më shumë përkushtim, kështu do të zgjatej sezoni,” thotë Karamanaga.
Pa dyshim që Ulqini ka të gjitha potencialet natyrore që sezoni të zgjasë gjatë gjithë vitit, por janë gjithashtu më të rëndësishmet iniciativat dhe kuadrot që do t’i realizojnë ato. Këtë e konfirmon shembulli i organizimit të suksesshëm të manifestimit Sweet December. Ky manifestim është mbajtur dy vitet e fundit nga mesi i dhjetorit deri në fillim të janarit, dhe qyteti praktikisht gjallërohej. Qëllimi i Organizatës Turistike dhe i Komunës është që në të ardhmen të organizohet pritja e Vitit të Ri në Ulqin, ashtu si në qytetet e tjera bregdetare të Malit të Zi.
Xhavid Hoxhiq, punonjës turistik dhe qiramarrës i plazhit të njohur “Miami”, ku valëvitet flamuri i kaltër, beson se rezultatet më të mira arrihen duke lidhur kulturën dhe turizmin. “Përveç potencialeve natyrore, Ulqini me historinë e tij prej 25 shekujsh, tri fe dhe trashëgiminë e pasur kulturore, përfaqëson një thesar të bregdetit malazez. Prandaj ne insistojmë në valorizimin e monumenteve kulturore-historike dhe restaurimin e tyre në bashkëpunim me institucionet përkatëse, për të rritur ofertën turistike të qytetit tonë,” vëren ai.
Në Organizatën Turistike theksojnë se kanë nisur edhe çështjen e brendimit të Ulqinit. Vitet e ardhshme do të investohen shumë më tepër fonde në aktivitete promovuese dhe mbështetje për xhirimin e filmave. Shembulli më i mirë për këtë ishin filmi dhe seriali “Perla e Bunës” (Biser Bojane), të cilët kontribuuan për promovim e jashtëzakonshëm të Ulqinit në tregun rajonal.
Ky tekst u krijua në kuadër të projektit të promovimit të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit në Komunën e Ulqinit, i cili financohet nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, nga Fondi për Stimulimin e Pluralizmit dhe Diversitetit të Mediave. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e OJQ “Ul info” dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e Ministrisë.