Po i ndjek me vëmendje llafet dhe debatet që bëhen sot për t’ardhmen e qytetit tonë. Këto ditë që jam këtu në Ulqin, pata rastin me nejt e me fol me disa njerëz të mediave tona. Aty e pashë edhe ma mirë se, përveç dashnisë së madhe që kemi për këtë vend, ka ra nji mrzitje dhe nji frikë e madhe për rrugën që ka marrë Ulqini. Jemi ba 80 për qind të varur vetëm prej nja dy muajve turizëm në verë, kurse ky betonizimi pa kry e pa plan po ia humb ftyrën dhe shpirtin qytetit tonë nji herë e përgjithmonë.
Sot jemi në nji pikë kthese shumë të rrezikshme. Si fëmijë i mërgimit që e sheh vendin edhe nga jashtë, dua me thënë nji gjë me shpirt: këtë hall nuk e munden t’a zgjidhin as vetëm njerëzit këtu, as diaspora ndaras. Duhet me u bashku. Nuk kam ardhë prej jashtë me u shitur mend apo me ju tregu se çfarë me ba. Duhet me dëgju njiri-tjetrin dhe me e vu në punë atë pasuri dhe atë forcë që e kemi nëpër botë – por me mend, me pastërti, larg burokracisë dhe larg baltës së korrupsionit që të ha paranë.
Ari i pashfrytëzuar nëpër fshatrat tona dhe mësimet nga bota.
Gabimi më i madh që është bërë me dekada është se e kemi lënë Ulqinin vetëm te “deti e rëra”. Kemi harru se çfarë tokë të bekuar kemi rreth e rrotull – që nga Buna, Anamalit e deri te Liqeni i Shasit. Këto vende janë nji pasuri e gjallë që mund ta mbajnë ekonominë tonë në këmbë të pavarur. Nuk kemi nevojë me shpik gjëra të reja, mjafton me pa se çfarë kanë bërë të tjerët, ku kanë pas suksese e ku kanë dështuar:
Shembulli që na tremb: Costa Blanca në Spanjë para shumë vitesh u mbyt në ndërtime e në pallate gjigante pa asnji plan, duke e shkatërru krejt bujqësinë. Sot, ato vende në dimër mbesin si qytete fantazmë, pa jetë e pa kurrfarë identiteti. Këtë dështim nuk guxojmë me ia lejua vetes në Ulqin.
Shembulli i mirë: Gadishulli i Istrisë në Kroaci e ndaloi me kohë këtë ndërtimin e egër në bregdet dhe i dha forcë fshatit, ullirit, vreshtave dhe agroturizmit. Sot ai rajon përmendet në mbarë botën. Bujqit e tyre fitojnë bukuri, rinia nuk ikën nga vendi dhe turizmi u zgjat pothuajse dhjetë muaj në vit.
Suksesi i diasporës: Irlanda diti me e afru diasporën e vet me programe të pastra dhe me garanci nga shteti. Paratë e mërgimtarëve nuk shkuan për me ndërtu thjesht vila luksoze që rrinë mbyllur, por u futën nëpër biznese të vogla e fabrika të vendit, sepse njerëzit patën besim se paraja e tyre nuk digjet.
Nji thirrje për me ndryshu rrugë.
Nji thirrje për njerëzit tanë dhe ata që kanë pushtetin në dorë: Ruani ato xhevahire që i ka fal zoti Ulqinit – që nga Valdanosi, Solana e deri te fshatrat e fushat tona. Euroja e shpejtë në verë nuk bën me na e marrë frymën për dhjetë muajt e tjerë të vitit. Duhen plane me mend në kry dhe dyer të hapura e të pastra për ata që duan me investu me djersë, pa pengesa e pa hile.
Nji thirrje për diasporën tonë anembanë botës: Paratë që çojmë në shtëpi janë dëshmia e mallit dhe dashnisë sonë. Por le të mendojmë pak më ndryshe. Në vend që t’i fusim paratë përsëri nëpër apartamente e mure betoni që rrinë bosh në bregdet, le të kërkojmë dhe të ndihmojmë projekte që zgjasin në fshatrat tona: në bujqësi të pastër, në përpunim modern të ullirit tonë apo në shtëpi të vjetra agroturizmi ku ruhet tradita.
Pasuria e kulturës sonë si rrugë për të ardhmen.
Siç e kam thënë edhe herë të tjera, e ardhmja e Ulqinit nuk është me u bë kopje e shëmtuar e vendeve të mbytura në beton. Forca jonë më e madhe është kush jemi ne. Ne jemi nji vend multikulturor ku fe e tradita të ndryshme jetojnë në harmoni e në paqe me njiri-tjetrin prej shekujsh. Kjo bashkëjetesë na jep nji shans të madh sot me afru nji lloj tjetër turizmi me shumë interes në botë.
Kërkesa për turizëm halal po rritet jashtë mase në të gjithë botën. Këta lloj turistësh kërkojnë shërbime të mira, por që respektojnë vlerat familjare dhe kulturore të tyre. Qyteti ynë, me këtë larmishmëri që ka, e ka vendin dhe themelet gati për këtë punë. Nëse e përgatisim këtë ofertë me mend dhe me nivel të lartë, do të afrojmë turistë që harxhojnë, do të ruajmë natyrën tonë dhe do t’i tregojmë botës se tradita dhe suksesi modern shkojnë bashkë shumë bukur.
Ne e kemi paranë, vendi e ka potencialin – si në plazh, si në fushë, ashtu edhe në kulturën tonë. Ajo që na duhet është vetëm ura e arsyes dhe e besimit te njiri-tjetri. Le ta ndërtojmë këtë urë bashkë, që t’i japim Ulqinit nji të ardhme me punë, të fortë kundër krizave dhe me faqe të bardhë.
Nji bashkëatdhetar i mrzitur për vendin, por me shpresë të madhe në zemër!








