Autori Xheladin Zeneli ka botuar së fundmi librin “Diskursi politik dhe kombëtar”, një përmbledhje e vështrimeve, analizave dhe reagimeve mbi çështje të ndryshme që lidhen me shqiptarët dhe Malin e Zi, Komunën e Ulqinit, Kosovën, Shqipërinë, diasporën shqiptare në SHBA dhe ngjarje e përvjetorë. Libri shquhet për tonin kritik ndaj veprimeve e dukurive të ndryshme negative që shkojnë në dëm të shqiptarëve. Pjesa më e madhe e artikujve të botuar në libër janë shkruar gjatë periudhës kohore 2017-2022, të cilët autori i ka publikuar në organe të ndryshme të shtypit shqiptar dhe në faqen e tij në Facebook.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është shtypur në Shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor i librit është Dr. Nail Draga, recensent Qani Osmani, lektor Sabri Halili, redaktor teknik Gazmend Çitaku, kurse ballinën e ka punuar Bretan Zeneli.
Xheladin Zeneli ka qenë deputet i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në përbërjen e Kuvendit të Malit të Zi, të dalë nga zgjedhjet e para pluraliste në vitin 1990. Që prej vitit 1991, kur dha dorëheqje si deputet, jeton dhe vepron në SHBA, ku përpos punës së rregullt është i angazhuar si aktivist i çështjes shqiptare. Ka marrë pjesë me prezantime e kumtesa që trajtojnë çështjen e shqiptarëve në Malin e Zi në disa tubime e sesione shkencore të organizuara nga komuniteti shqiptar në Nju Jork. Po ashtu merret me shkrime publicistike. Është autor i librave “Diaspora dhe vendlindja” dhe “Shqiptarët në Mal të Zi – popull i rrezikuar”. “Diskursi politik dhe kombëtar” është libri i tij i tretë.