
Në gazetën Dielli nga Marko Caka/New York/, në reportazhin me titull “Një ditë me shqiptarët e Anës së Malit në Franklin Rousvelt Park”, tregohet, se si ata e festuan së bashku në një nga parqet më argëtuese, dhe i preferuar shumë për mërgimtarët tanë , me anë të një pikniku në malësitë e Nju Jorkut, këtë fund-javë.
Caka, shkruan se “Të larguar pas shumë dekadash nga trojet shqiptare në Mal të Zi dhe me dy gjenerata të reja, banorët e Anës së malit janë shembulli më i mirë i ekzistencës dhe i ruajtjes së gjuhës dhe i traditave të tyre kombetare. Franklin Rousvelt Park, thotë ai ishte vendi që i mblodhi të gjithë sëbashku. I madh e i vogël nga kjo trevë u mblodhën jo vetëm për të festuar , por edhe duke na treguar se lidhjet ne mes tyre janë akoma më të forta kur janë larg vendit të tyre, tregon ai në reportazhin e tij.
Më tej në reportazh thuhet se në piknik ka qenë së bashku myslimanë dhe krishterë, që nuk i dalloje dot, sepse thellë në shpirtin e tyre, thotë artikullshkruesi, është gdhendur vetëm shqiptarizmi e cila me simbolin e saj te shqiponjës dykrenare demonstrohej fort në bluzat e tyre. Një ndjenjë e etur kjo për tokën mëmë që është trashëguar fort tek brezi i ri i kësaj treve.
Ai tregon se Fraklin Rusvelylt Park, është rreth 100 km, nga Nju Jorku, por për organizatorët është vendi më i përshtatshëm për të hequr mallin e vendit të tyre, të cilin e kanë braktisur pa dëshirën e tyre për shkaqe ekonomike dhe politike. Sipas organizatorëve në këtë lëndinë të rrethuar nga kodrat festohet njëqind përqind shqip dhe që është zgjedhur enkas për të sjellë mallin për bukuritë e malësisë së tyre. Isha një nga mysafirët e paktë që nuk I përkisja kësaj treve, por të gjithë mu gjendën pranë për të më uruar mirëseardhjen në festën e tyre të përvitshme.
Një festë që i ngjante festës së një fshati ku çdo familje kishte sjellë diçka nga shtëpia e tyre për të pjekur dhe gatuar së bashku recetat e shijshme tradicionale të trevës së tyre, tregon autori duke shtuar se “Është në traditën tonë, që mysyafirit ti hapim jo vetëm derën por edhe zemrën për ti treguar se është pjesë e gëzimit tonë dhe për të vlerësuar respektin e pjesmarrjes së tij në festën tonë. Prandaj edhe sot në këtë vend të largët ne e ruajmë dhe e çmojmë këtë vlerë të bujarisë, shprehet një nga drejtuesit e Shoqates së Anës së Malit, Ismet Kurti. Ndërsa Xheladin Zeneli me tendën që shpërndan fanelat e shoqatës, është nga ata mikëpritësit organizatorë, I cili ka dhënë gjithçka për ta bërë piknikun e përvitshëm sa më madhështor. Ai me bizneset e tij të parukerisë përcjell shembullin se shqiptarët ulqinakë, kudo që ndodhen nuk e harrojnë zanatin e tyre, përkundrazi edhe kontribojnë për komunitetin e tyre në diasporë.”
Në këtë piknik ka marrë pjesë edhe asambleisti shqiptarë në Asamblenë e Nju Jorkut, zoti Mark Gjonaj dhe organizatat Rrënjët Shqiptare.