SHBA: ZV-PRESIDENTI BIDEN, MIK NË SHTËPINË E FILANTROPISTIT SHQIPTAR ME ORIGJINË NGA ULQINI

Richard Lukaj,Bankieri dhe filantropisti i mirënjohur shqiptaro-amerikan me origjinë nga Ulqini, Riçard Lukaj, pati mik në shtëpinë e tij në Konektikat zv. presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Xhozef Bajden (Joseph Biden, Jr.), më 20 gusht në një pritje private me qëllim mbështetjen e Shoqatës së Guvernatorëve Demokratë dhe guvernatorit të Kënektikatit, Den Malloi (Daniel Malloy).

Përveç zv. presidentit Bajden dhe guvernatorit Malloi, së bashku me stafet e tyre dhe ekipit të fortë të sigurisë, të ftuar ishin edhe senatori Riçard Blumentall (Richard Blumenthal), personalitete të tjerë të rëndësishme, disa drejtues të industrive të ndryshme, si dhe Miss USA, Nia Sançez.

Z. Lukaj tha në fjalën e hapjes: «Është vërtet një nder i veçantë për mua të jem këtu para një grupi miqsh dhe fqinjësh të shquar, për t’ju prezantuar mikun tonë guvernatorin Den Malloi dhe zv. presidentin tonë të nderuar, Xho Bajden, dy individë të cilët më bëjnë të ndihem krenar që jam amerikan».

Para se të prezantonte guvernatorin Malloi dhe zv. presidentin Bajden, z. Lukaj gjithashtu foli për fillimet e tij si emigrant shqiptar në Amerikë si djal i dy prindërve punëtorë të thjeshtë, të cilët ishin arratisur nga ish-Jugosllavia për arsye të shtypjes etnike dhe ekonomike ndaj shqiptarëve. Ai kujtoi se si prindërit e patën ushqyer me vlerat e punës, dashurinë për Amerikën duke e nxitur që të ndiqte me besim «Ëndrrën Amerikane», një koncept që mbetet ende shumë i rëndësishëm dhe konkret në jetën e z. Lukaj.

Zv. presidenti Bajden preku disa tema, përfshi këtu dhe sfidat brenda dhe jashtë ShBA. Ai ceku gjithashtu ngërçin politik në Uashington duke e përshkruar atë si një «përçarje të tmerrshme». Sidoqoftë ai e mbylli me një notë pozitive duke thenë se gjithçka bëhet për të qenë të bashkuar qoftë Kënektikati si shtet, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara si komb. Sërish me një ton konstruktiv e pozitiv ai përmendi shpeshherë faktin që njerëz si familja Lukaj janë ata që e veçojnë Amerikën nga e gjithë bota.

Z. Lukaj ka qënë aktiv për çështje të ndryshme për një kohe shumë të gjatë, duke kontribuar veçanërisht ndaj njerëzve në vështirësi në trojet shqiptare. Ai ka ndihmuar në themelimin e organizatave, institucioneve dhe fondacioneve që kanë vendosur standarte dhe që janë dalluar gjatë periudhave kritike në rajon për shqiptarët. Z. Lukaj është nderuar për punën e tij nga Republika e Shqipërise duke u përzgjedhur si një nga Konsujt e Nderit në Shtetet e Bashkuara, gjë që më vonë është konfirmuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Shkruan: Anjeza Bojku (Illyria)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi