Në Shkollën fillore “Bedri Elezaga” u inaugurua hapësira e re për mësim në natyrë (“Učionica na otvorenom”), një projekt që synon të promovojë mësimin kreativ dhe përfshirjen e komunitetit.
Ngjarjes iu bashkuan përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere, përfshirë Ivanën Vujoviq, drejtoreshë ekzekutive të organizatës Juventas, Dragan Mijushkoviq, drejtor i Direktoratit për Arsimin dhe Edukimin në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Mustafa Bardhi, drejtor i shkollës, si dhe Petar Deliq, nënkryetar i Komunës së Ulqinit.
Projekti është realizuar në kuadër të programit “Zajedno za opšte dobro”, të mbështetur nga UNDP, UNICEF, UNESCO dhe UN Peacebuilding Fund, me kontribut të rëndësishëm të organizatës Juventas.
Koordinatore e projektit ishte prof. Luljeta Avdiu Cura, njëkohësisht anëtare e grupit joformal “Bedri Elezaga”, së bashku me: Rita Avdiu, Reshit Cuca, Mirjete Cuca, Mustaf Bardhi dhe Ilir Lleshi.
Një numër i madh mësuesish mbajtën orë mësimore në ambientin e hapur, duke dëshmuar profesionalizëm dhe duke treguar vlerën praktike të hapësirës së re. Nxënësit morën pjesë në aktivitete nga lëndë të ndryshme, duke e bërë mësimin më dinamik dhe të qasshëm.
Ngjarja u përmbyll me vizitën e hapësirës dhe mbjelljen simbolike të një ulliri – shenjë e rritjes, bashkëpunimit dhe qëndrueshmërisë.









