Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania “Petromanas”, e cila kishte fituar të drejtën ekskluzive nga Qeveria shqiptare për kërkim nafte në disa zona të vendit, mes të cilave dhe bllokun AB që shtrihet nga Durrësi në Shkodër, shkruan gazeta „Shekulli“. Në këtë bllok “Petromanas” kishte përcaktuar zonën e Jubanit në Shkodër, si një nga më të mundshmet për rezerva nafte dhe nisi hapjen e një pusi. Por, pas shpimeve, në dhjetor të vitit të kaluar kompania arriti në përfundimin se zona kishte sasi të papërfillshme hidrokarburesh, çka e ka çuar atë në vendimin që të braktisë gjithë bllokun AB, një sipërfaqe prej rreth 140 mijë hektarësh, që nis nga Durrësi dhe përfundon në Shkodër.
Në njoftimin zyrtar “Petromanas” bën të ditur se do t’i përqendrojë operacionet e saj në bllokun 2-3 në Shpirag të Beratit dhe atë DE, në zonën e Shqipërisë së mesme. Në vendkërkimin e Shpiragut, “Petromanas” është aksionere me kompaninë “Shell”, ku secila nga palët zotëron 50 për qind. Të dy kompanitë janë duke shpuar një pus, i cili ka arritur në 5500 metër thellësi, me një kosto prej 65 milionë dollarë. Shpimi vazhdon dhe sipas kompanisë do të shkohet deri në 5800 metër thellësi. Në deklaratat zyrtare kompania shpreh optimizëm se kërkimet në këtë zonë do të përfundojnë me sukses. Por, pavarësisht Shpiragut, braktisja e ultësirës perëndimore të vendit ngushton dukshëm zonat me potencial naftëmbajtës në Shqipëri.
Në 20 vitet e fundit disa kompani të njohura hidrokarbure kanë tentuar të zbulojnë vendburime nafte, por asnjëra nuk ka arritur.