Vincens Piroli (34), i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet malazeze për shkak të vrasjes së ulqinakut Momçillo Gjurishiq, ka mbetur i plagosur dje në Shkodër në rrethana të paqarta.
Sipas mediave shqiptare, Piroli u plagos me dy të plumba, mirëpo, për shkak të frikës nga një tjetër tentativë për vrasje, në vend të spitalit në Shkodër thuhet se i riu është dërguar në spitalin Rajonal Lezhë dhe më pas është dërguar drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar.
“Më datë 03.01.2022, rreth orës 19:00, është dërguar në spitalin Rajonal Lezhë dhe më pas është dërguar drejt Tiranë për ndërhyrje më të specializuar, shtetasi V.P, 34 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i plagosur me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po vazhdojnë kontrollet intensive, këqyrjen e kamerave , identifikimin e personave të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen”, njofton policia.
Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-dalje të qarkut Lezhë dhe në bashkëpunim me DVP Shkodër punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Piroli rezulton i shpallur në kërkim në Malin e Zi pak muaj më parë pasi së bashku me Dorjan Lalën 35 vjeç dyshohet se kanë vrarë ulqinakun Momçillo Gjurishiq, më 4 qershor të vitit të kaluar në lokalin e ish – shoqatës Auto-Moto në vendbanimin Totosh.
Pikërisht Piroli dyshohet se është autor i drejtpërdrejtë i vrasjes.