Shkodra: RRËFIM DASHURIE NË KALANË E ROZAFËS

Shkoder-albania-8583046-800-605Nisemi drejt Shkodrës. Nga autostrada e “vdekjes”, autostradë në të cilën do të kalojmë për të shkuar drejt qytetit të Shkodrës, nuk e mendon se aty të pret një atmosferë e jashtëzakonshme. Dhe këtë e ndiejnë më së shumti ata që e vizitojnë Shkodrën për herë të parë. “Shekulli” ju rrëfen sot Shkodrën e Maurubit, të humorit, këngës dhe biçikletave. Ju rrëfen një pedonale ndryshe nga ajo e Tiranës, apo e ndonjë qyteti tjetër në Shqipëri. Dhe një kala ku gurët historikë bashkohen me mbishkrimet moderne, thënie dashurie me sprait.

Pedonalja ku merrte jetë arti dhe jo tymi i qofteve 

Zbresim nga makina dhe shkojmë drejt pedonales, shëtitores të qytetit. Edhe pse disa ditë më parë ka qenë një festë e madhe në këtë qytet e pikërisht në këtë pedonale për kupën e Botërorit, sërish ajo dukej e mrekullueshme. Gjermania kishte fituar, ndërsa Shkodra kishte festuar, ashtu sikurse do të bënte çdo provincë në Gjermani. Thuajse të gjithë bënin tifo për Gjermaninë. Edhe gazetarë nga Gjermania kishin mbërritur ato ditë në Shkodër për të bërë një dokumentar, e pikërisht në atë zonë, te pedonalja. Nëse mendoni se aty mbante aromë qofteje dhe erë birrash gaboheni. As një tis i lehtë tymi nuk shfaqej në ajër. Pedonalja niste aty afër Bashkisë së këtij qyteti. Dhe që aty niste edhe arti i atyre mureve anësorë. Kudo, përgjatë gjithë pedonales, dhe jo vetëm, ishin varur fotografit të familjes Marubi, fotografi të fonotekës. Këto fotot ishin vendosur në të gjithë qendrën e qytetit, por në pedonalen e qytetit niste dhe ekspozohej një punë e shkëlqyer. Drejt fundit, na zuri syri disa lokale që kishin nxjerrë dy a tri karrige gjatë pedonales, por kurrsesi të pengonin biçikletat dhe kalimtarët që kalonin përgjatë kësaj shëtitoreje. Shumë ndryshe nga pedonalja e kryeqytetit. Dhe këtë e pëshpëriti gjatë gjithë kohës, i gjithë grupi i “Shekullit”.

Biçikletat dhe tregu 

Dukej sikur askush nuk kishte frikë ta linte biçikletën e tij pa lidhur. Dikush na tha se çdo familje kishte të paktën tre biçikleta dhe grabitjet e tyre në këtë qytet janë të pakta, ose thuajse të papërfillshme. Njerëzit lëviznin me to në pedonale, në të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit përfshirë këtu edhe në rrugën e dyqaneve. Mund ta lije biçikletën në anë të dyqanit dhe të provoje tre a katër fustane dhe pantallona pa merakun se do të ta rrëmbejnë. E meqenëse, kaluam në rrugën plot dyqane veshjesh vendosëm të pyesnim për çmimet e tyre (në dyqanet që nuk kish vendosur tabela). Ishin relativisht të lira. Kishte mundësi që një fustan thuajse njëlloj e gjeje me çmim dyfish në Tiranë.

Kalaja e Rozafës 

Në hyrje qëndronte një zotëri. Ishte ai që na preu biletat. Pas nesh kishte të huaj që prisnin radhën ta vizitonin këtë mrekulli. Nuk kishte shumë radhë, por mjaftueshëm kuriozitet. Dukej prej së largu e bukur dhe e tillë ishte kalaja e Rozafës. Çmimi i biletës për person ishte 200 lekë të rinj. Muret ishin historikë, ndërsa e tëra ishte e jashtëzakonshme. Por, mungonte ciceroni, një njeri që t’i shoqëronte të huajt dhe t’u shpjegonte historinë e këtij vendi. Pa drejtim, kështu ecnin ata, të huajt, pasi edhe tabela që do të duhej të tregonte muret që shënjonin historinë ishte e shkatërruar.

Shprehje dashurie në muret e kalasë 

Do të thonim që gjithçka ishte e mrekullueshme, por këtë do të mund ta thonim nëse nuk do të kishim shkuar deri në pikën e lartë të kësaj kalaje për të parë qytetin nga lart. Sapo ngjitemi në një nga pikat më të larta të kalasë së Rozafës na del përpara një shënim në muret e ndërtuar nga gurët historikë. I love Nela. Ky ishte shënimi. I gjithi i shkruar në një mënyrë të shtrembëruar e të shëmtuar njëkohësisht. Një histori dashurie dhe besnikërie e njohim për këtë kala dhe kaq na mjafton. Nuk besoj se ajo shprehje dashurie me bojë sprai të kuq i shkonte shumë për shtat historisë dhe vlerave që mbartte kjo pjesë, një lloj ballkoni ku mund të shijoje një pamje të mrekullueshme të Shkodrës. Nuk e dimë se sa krenare është Nela për dashurinë e këtij djali sot, por ajo për ne ishte shenja më e shëmtuar e një kalaje plot vlera historike të cilën mund ta vizitoje për 200 lekë.

Një fund i lumtur 

Dalim edhe nga Kalaja e Rozafës, bosh, pa shitës ambulantë dhe me restorantin e mbyllur. Ishte një shëtitje e gjatë, për disa ndoshta edhe rraskapitëse. Në kërkim të një tualeti a ndoshta i uritur, zhgënjehesh kur mëson se edhe restoranti i kalasë është i mbyllur. Do të duhet të gjesh një tjetër restorant, diku larg kalasë, por Shkodra ndryshe nga të gjithë qytetet e tjera duket sikur kish menduar edhe për këtë. Tualeti gjendej sapo dilje nga kalaja në rrugën kryesore. Kushtonte 50 lekë të rinj. Ndoshta shtrenjtë, por ndryshon puna kur këtë shërbim nuk e gjen në vende të tjera të vendit tënd.

“Marubi Route and Festival”

“Marubi Route” ka nisur në Shkodër që në datë 7 Korrik. Përgjatë një muaji, rreth 60 fotografi do të qëndrojnë të ekspozuara në të gjitha rrugicat e Shkodrës. Janë rreth 1 m x 70 cm që janë përzgjedhur nga koleksioni i Fototekës Marubi, për të treguar momentet historike e sociale, por edhe zhvillimin e qytetit të Shkodrës ndër shekuj. Por, për këtë është menduar edhe një detaj tjetër. Një konkurs fotografie. Është quajtur “Marubi Festival” dhe zhvillohet në datën 19 korrik. Organizatorët e këtij eventi kanë ftuar të gjithë fotografët, amatorë apo profesionistë qofshin që të bëhen pjesë e konkursit njëditor të fotografisë. Nënlogon “Eja, fotografo Shkodrën dhe fito” më të mirët do të mund të shpërblehen për fokusin e tyre. Çmimi i parë, thënë ndryshe edhe fotografia më e mirë do të vlerësohet me 600 Euro. Autori i çmimit të dytë fiton 400 Euro, ndërsa çmimi i tretë 200 Euro. Ndërkohë, edhe për ata që nuk kanë mundësi apo dëshirë të jenë pjesë e konkursit, Shkodra i pret për të shijuar artin e fonotekës Marubi. Fotot e përzgjedhura për t’u ekspozuar në qytet, në pedonale, përfshijnë kolosët e fototekës, Marubët; Idromeno, Pici, Jakova, Nenshati, Rraboshta etj. (Luela Myftari, Shekulli)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…