Për shkodranët meritokracia në rangje të larta të drejtimit të shtetit është një stomak që njeh dhe bluan vetëm një ushqim lokal tradicional me tre përbërës kryesorë: “shkodran”, “antikomunist” dhe “familje e madhe”. Përbërësit e tjerë si, profesionalizmi dhe arritjet individuale pavarësisht origjinës biologjike apo sociale, trupi i shkodranit i jashtëqet vrullshëm. Natyra qibare e këtij stomaku shpaloset me gjithë madhështinë e saj sa herë diskutohet niveli i përfaqësimit politik të Shkodrës në rang ministror. Kakofonia e pretendimeve, pakënaqësive apo hatërmbetjeve ndaj kandidaturave të propozuara merr përmasa komike dhe groteske. Sidomos nëpër rrjete sociale. Atje ku shkodranë 24 karatesh me vendbanim brenda apo jashtë Shkodre diskutojnë herë buzëpërdredhur e herë gjithë pezm mbi kandidaturat e shpallura. E vështirë ta kënaqësh stomakun e shkodranit të llastuar, i cili, herë kërkon thjesht përfaqësim sasior në qeveri dhe, sapo kjo arrihet, (aktualisht kemi 2 ministra dhe 3 zv.ministra nga Shkodra) ia behin gjykimet me përbërësit e lartpërmendur. Ministrat Bushati dhe Beqja janë shkodranë, janë profesionistë, por duhen hedhur poshtë si bij komunistësh; zv.ministri Çuni është shkodran, është profesionist, por nuk rrjedh nga një “familje e madhe”; zv.ministri Radovani është shkodran, është antikomunist, është familje e madhe, shkurt: i ka të gjithë përbërësit që kërkon stomaku delikat i shkodranit, por, aimè, është lidhur me “të gabuarit”.
Natyrisht, kjo frymë puritane që verifikon gjithçka nën emrin e atij kodi të lashtë zakonor, të pashkruar e sugjestionues të ngulitur brenda nesh si “qytetaria shkodrane” e bën të pamundur shijimin e një kandidature. Natyrisht, nën emrin e kësaj forme bashkëjetese që nuk bazohet në ligj e kontratë, por në mirëbesim, nën emrin e këtij kodi shpirtëror për të cilin klani dhe farefisi kanë më peshë se individi, zor se mund t’i meritojë njeri postet e larta që shkodranët nazelí aspirojnë për bashkëqytetarët e tyre.
Ndoshta, as që duhet kërkuar një përkitje e tillë. Sepse sa herë që politika është përplasur me qytetarinë shkodrane, ajo (politika) ka dalë fitimtare duke i shkërmoqur të gjitha cilësitë e mira të këtij kodi të brishtë dhe efemer. Edhe sa vite duhej të rrinte në pushtet znj. Topalli për të na bindur se “qytetaria shkodrane” nuk ishte virtyti i saj në këtë politikë? Ende s’e kanë kuptuar shkodranët e llastuar se sa imune është real-politika ndaj vlerave që mbart ky kod?
Mesa duket, kriteri i profesionalizmit dhe përkushtimit në punë do të duhet kohë të rrënjosen si kritere të vetme për të gjykuar përshtatshmërinë e një individi në rangjet e larta të administratës së një shteti. Ndoshta po aq kohë sa ç’është dashur për të krijuar kodin e pashkruar të qytetarisë shkodrane. /Mapo/