Ullishta e Ulqinit, në të cilën ka rreth 86 000 rrënjë ullinj shekullorë, disa të vjetër gati 2 000 vjet, është shembull i simbiozës së njeriut, natyrës dhe kulturës. Mirëpo, viteve të fundit tamahu dhe indiferenca po thyejnë traditën shekullore dhe po prishin harmoninë unike natyrore dhe ambientale të kësaj pasurie kulturore, bujqësore, ekologjike dhe atraksionit turistik të Ulqinit dhe Malit të Zi.
,,Ndërtimi në Ullishtë ishte gjithmonë i ndaluar. Për shekuj me radhë ullinjtë i rezistuan kërcënimeve të ndryshme, mirëpo shtrohet pyetja a do t’i mbijetojnë kohërave të grabitjes së përgjithshme. Kam frikë kur shoh këtë shkallë të tamahqarllëkut njerëzor”, tha drejtori ekzekutiv i MOGUL-it, Xhemal Peroviq.
Duke konstatuar se Ullishta është unikat i natyrës, ai thekson se Komuna e Ulqinit duhet të jetë e vetëdijshëm për pasojat e rënda të lëshimit eventual të lejeve të ndërtimit ose të mbylljes së syve para veprimeve të paligjshme në perlën e bregdetit lindor të detit Adriatik.
Ullishta e Ulqinit është monumenti më i madh i ullishtarisë në Adriatik, me rreth 86 000 rrënjë shekullore të kësaj bime të bekuar, nga të cilat 18 000 janë në gjirin e Valdanosit. Disa prej tyre janë gati 2 000 vjet të vjetër.
Administrata lokale është e vendosur. “Ullishta është e mbrojtur nga ndërtimi dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, tha kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.
Ai shprehet se ky është qëndrim edhe i autoriteteve shtetërore dhe kujton se me vendimin e qeverisë së kaluar nga Plani i Objekteve të Përkohshme janë fshirë objektet që duhet të ndërtoheshin mu në bregdetin e Valdanosit.
“Bëhet fjalë për objektet që u përfshinë nga vendimi që kishte marrë qeveria e Zdravko Krivokapiqit në ditën e fundit të mandatit të tyre. Me këtë vendim e për nevojat e Kishës Ortodokse Serbe ishte planifikuar ndërtimi i tre auto-kampeve, tre objekteve gastronomike, dy objekteve shitëse dhe parkingut”, thekson Bajraktari.

Nga qeveria e kryeministrit të atëhershëm Dritan Abazoviq, përndryshe ulqinakut të lindur, thoshin se e përkrahin iniciativën që Valdanosi të jetë zonë e mbrojtur, siç është paraparë me Studimin e Mbrojtjes, të cilin e hartoi Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit.
Arsyeja kyçe për hartimin e këtij dokumenti s’është konservimi i zonës, por është zhvillimi i saj në mënyrë më të mençur, që do të parandalojë çdo tentativë dhe formë të ndërtimit të paligjshëm, me theks në ruajtjen e mjedisit.
Ngjashëm është përcaktuar edhe në Planin Strategjik të Zhvillimit të Komunës së Ulqinit për periudhën deri në vitin 2028, ku parashihet “ndërtimi i qendrës turistike për piknik, argëtim, rekreacion dhe vrojtim të natyrës”, si dhe ringjallja e ullishtës në Valdanos.
Rikujtojmë që pas 43 vitesh ullishtat u rikthyen pronarëve të vërtetë dhe tani po bëhet ripërtëritja e tyre. Mirëpo, disa pronarë duan të ndërtojnë, ngjashëm siç bënë të tjerët në pjesën tjetër të ullishtës, ku disa ndërtuan pa u hyrë ferrë në këmbë.
Ligji për ullishtari dhe vaj të ullirit ndalon rreptësisht ndërtimin në Ullishtë dhe përcakton se Ullishta në Valdanos, si pasuri me interes të përgjithshëm, gëzon mbrojtje të veçantë. Ndërtimi i objekteve banuese në Ullishtë ishte i mundur vetëm në rastet e rindërtimit dhe rikonstruktimit të objekteve ekzistuese dhe, në rastet e jashtëzakonshme, të objekteve të nevojshme për procesin e prodhimit të vajit të ullirit.
Kryetarja e Shoqatës “Martin Schneider-Jacobi”, Zenepa Lika, është e bindur se do ta shkatërrojmë Ullishtën nëse vazhdojmë kështu, njëjti siç shkatërruam Ishullin (Adën) e Bunës.
“Në hijen e zhvillimit të përshpejtuar turistik, i cili gjithnjë e më shumë fokusohet në sasi në vend të cilësisë, Ullishta e Ulqinit dhe gjiri i Valdanosit po bëhen viktima të planifikimit joadekuat hapësinor, të politizimit dhe të përgjegjësisë së pamjaftueshme ndaj trashëgimisë kulturore. Presioni ndaj këtyre zonave është rezultat i vendimeve politike që shpesh formohen mbi bazën e interesave të ngushta të investitorëve, në vend që të udhëhiqen nga shqetësimi për ruajtjen e vlerave unike kulturore”, vlerëson Lika .
Siç thekson ajo, në Mal të Zi gjërat janë kështu – nëse diçka nuk është e shkruar e zezë mbi të bardhë dhe nëse nuk parashihen gjobat, atëherë çdokush mendon se mund të bëjë si i do qejfi.
Organizata e saj së fundmi ka hartuar studimin me qëllim të nxjerrjes në pah “të sfidave serioze që lidhen me aktivitetet ilegale dhe korruptive në zonën e Ullishtës së Ulqinit dhe gjirit të Valdanosit dhe ndikimin e tyre negativ në peizazhin kulturor”. “Dokumenti thekson nevojën urgjente për ndërhyrje në nivelin legjislativ dhe planifikues, rritjen e transparencës dhe nevojën për përfshirje aktive të qytetarëve/eve dhe parandalimin e korrupsionit me qëllim ruajtjen e pasurive kulturore, ruajtjen e diversitetit ekologjik dhe kulturor dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së banorëve të Ulqinit”, thotë kryetarja e shoqatës “Martin Schneider-Jacobi”.
Kryeshefi i Policisë Komunale, Amir Mehmedi, shprehet se në Ullishtë nuk do të mund të ndërtohet pa u dënuar. Ai pohon se vitin e kaluar është shembur një objekt i paligjshëm i ndërtuar në pronë shtetërore.
Peroviqi e përshëndet atë veprim, por është i bindur se presioni ndaj ambientit do të rritet pas kthimit të pronës. “Megjithatë, shpresojmë se qasja e autoriteteve lokale do të jetë më serioze se deri më tani. Në arkivat tona kemi në sërë deklaratash, përfundimesh, rekomandimesh lidhur me mbrojtjen e Valdanosit, kurse gjendja në terren ishte gjithnjë e më e keqe. Gëzon edhe qëndrimi i ministrisë kompetente për ndalimin e ndërtimit në tërë Ullishtën, paçka, edhe sipas ligjeve të mëparshme, aty ishte i ndaluar ndërtimi”, thekson ai.
Ky është edhe mendimi i numrit më të madh të qytetarëve të Ulqinit, i shprehur në anketën tonë ECR. Ata besojnë se Ullishta nuk është e mbrojtur në mënyrë efikase dhe se po shndërrohet në tokë ndërtimore. Përgjegjësinë më të madhe, sipas tyre, e mbajnë Komuna e Ulqinit, Qeveria e Malit të Zi dhe pronarët e tokës. Ata, pothuajse njëzëri, shprehen edhe se në gjirin e Valdanosit nuk duhet të lejohet ndërtimi dhe se Ullishta duhet të gëzojë statusin e Parkut të Natyrës.
Kryetari i Komunës thotë se tani është çasti i duhur që Valdanosi të gëzojë shkallën më të lartë të mbrojtjes, respektivisht të marrë statusin e Parkut të Natyrës, në breg të detit. Në fillim të vitit 2022, zona detare përreth këtij gjiri të mrekullueshëm dhe ishullit Ulqini i Vjetër u shpall Park Nënujor i Natyrës.
“
“Unikatet tona natyrore duhet t’i shfrytëzojmë me kujdes dhe sipas planit, gjersa disa lokalitete tjera duhet t’i valorizojmë me hapa të përshpejtuara, për ta çuar turizmin në nivelin e merituar dhe ta rritur cilësinë e ofertës tonë. Duhet të vëmë në balancë natyrën dhe zhvillimin dhe unë jam i sigurt që Ulqini filloi etapën e re të zhvillimit, si në planin ekologjik ashtu edhe në atë ekonomik”, thotë Bajraktari dhe shton: “Ne duhet ta mbrojmë Ullishtën që ajo, sot e mot, të jetë marka, krenaria dhe burim i të ardhurave të banorëve lokal, siç ishte përherë gjatë historisë. Mu për këtë arsye, dega e ullirit është në stemën e Qytetit”.
Për ta forcuar pohimin, Bajraktari thekson se Komuna e Ulqinit ka formuar Sekretariatin për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji, i cili këtë vit përkrahu ullishtarët. “Në këtë mënyrë administrata lokale i kushton vëmendje zhvillimit të bujqësisë, në veçanti ullishtarisë, që është traditë e jona shekullore”, thotë kryetari i Komunës së Ulqinit.
Autoritetet lokale pohojnë se kanë edhe një sërë planesh tjera për Ullishtën e Ulqinit. Para së gjithash, do të ripërtëriten rrugët në këtë zonë të Ulqinit, pastaj kalldrëmi i vjetër, do të nis rikonstruktimi i rreth pesëmbëdhjetë krojeve që janë atraksion i veçantë, me qëllim që mysafirët dhe vizitorët ta shijojnë sa më tepër këtë ambient të veçantë.
Ullishtari dhe gastronomi, Shuquri Bakalli, thotë se gjithnjë e më shumë turistë dëshirojnë të provojnë produkte vendase dhe autoktone, e ullinjtë dhe vaji janë padyshim pjesë e kësaj kategorie. “Duan edhe rrëfime, ngjarje, manifestime, të gjitha që ne i kemi. Meqë mbledhja e ullinjve bëhet menjëherë pas sezonit turistik, ajo është mundësi dhe mënyrë e mirë për ta zgjatur atë”, vlerëson Bakalli.
Ai përfundoi se duhet të rinovohen edhe muret e thata, që në Ullishtë ka me dhjeta kilometra, e që, fal kërkesës së Kroacisë, janë bërë pjesë e listës UNESCO, për mjeshtërinë e ndërtimit të tyre.
Fundja, të gjithë ata që vizituan këtë vend të paktën një herë në jetë, ishin të magjepsur nga bukuria e ambientit, gjersa detarët e quanin Valdanosin “gjiri i paqes dhe i heshtjes”.
“Më pushtoi një rrëqethje e çuditshme dhe devotshmëri e qetë. Për perëndeshën greke Athena, pema e ullirit ishte pemë e shenjtë. Sot për herë të parë kuptova pse pikërisht pema e ulliri iu kushtua asaj. Fuqia hyjnore dhe magjia përrallore në perëndimin e diellit, siç mbretëron këtu, përthithet nga ky pyll i mrekullueshëm me ullinj, siç ka ekzistuar dikur në tokën greke rreth tempullit të perëndeshës Athina”, ka shkruar në librin e tij “Nëpër Mal të Zi dhe Shqipëri“, botuar në vitin 1913, gjeografi dhe etnologu i famshëm gjerman Hugo Grote, pasi vizitoi ullishtën e Ulqinit.
Mustafa CANKA
Projekti – Society Against Corruption in Montenegro – Project Partners: Balkan Investigative Reporting Network and Civic Alliance
One Response
Ska mu gadit thot kryetari e vet i ka gadit aty 2-3 shpija. Ashtu kan gadit edhe shokt e kolegat e ti, edhe ma katastrof se aj vet. Me e shiku Ulqinin komplet, tesh ka 50% ma pak jeshilina se para 25 vjetve, isht ba tan beton, oda e apartmane, ku me leje e ku pa leje. Amiri thot se kajn mi nalu ndertimin, pa thuj, taman sa e kajn nalu kryetarin e tan ata si kajn pre ullinjt e vjeter neper ullisht, e kajn ba tavolin “interesante” e reth saj kan vu copat e deges ullinit si “karriga”. Shum interesant par ma shum dam. Zenepes hallall i qoft, par Xhemali paska qen i fort fart me nerva, tesh 30 vjet ty punu per ket qytet e kta qytetar edhe prep smunet me i hy n kry. Derisa Ulqini se fiten prep nji Mishko Mirovic, Llazo Ban ose Andri Kallugjerovic, ska hajr ktu ma, vec posht ka me shku se nuk zgedhen njerzt si e dijn punen par ata si e dojn fotelen