“Kësi ligji më mirë mos ta kishim punuar dhe dërguar në shqyrtim publik, sepse nuk di çfarë dëshirojmë të arrijmë me të”, tha kryetari i Këshillit kombëtarë të Shqiptarëve dhe deputeti i Forcës së re demokratike në Kuvendin e Malit të Zi Genci Nimanbegu në debatin rreth Draftit të ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave, i cili nën organizimin e Ministrisë për të drejtat e njeriut dhe pakicave është mbajtur sot në Sallën e madhe të Kuvendit komunal të Ulqinit.
Numri më i madh i pjesëmarrësve ka theksuar që ndryshimet e propozuara të këtij akti juridik janë kozmetike, gjegjësisht nuk hyjnë në thelbin e problematikës. E ai ka të bëj me dy çështje: cilat janë pakicat në Mal të Zi dhe si zgjidhen deputetët nga radhët e tyre në pushtetin ligjvënës?
Elaborimin hyrës në shqyrtim publik e mbajti sekretari i Ministrisë Mersudin Grediq, ndërsa i pranishëm ishte dhe funksionari i lartë i këtij resori qeveritarë Leon Gjokaj.
Në këtë tubim morën pjesë dhe drejtuesit e Këshillit nacional serb dhe kroat, kryetarët e UDSH-së dhe LD në MZ-së, drejtori i Fondit për pakica, si dhe përfaqësuesit e Delegacionit të BE-së dhe sektorit civil.