Sindikata e Kripores ka organizuar sot konferencë për shtyp në të cilën është deklaruar që kjo ndërmarrje më e vjetër në Ulqin shkatërrohet qëllimisht. “Nuk mund të besojmë si sillet shteti, gjykata e falimentimit dhe administrata e falimentimit ndaj kësaj hapësire”, tha kryetari Sindikatës Marko Miranoviq.
Ai shtoi që punëtorët dyshojnë që menaxhmenti shkakton prishjet në mënyrë që punëtorët të demoralizohen dhe të çojnë dorë nga qiramarrja e fabrikës.
“Neve njerëzit na thonë që pronari i Kripores është vëllai i kryeministrit, e jo më Veselin Baroviq. Ne këtë nuk e dimë. Ne vetëm habitemi kush është më i fortë se shteti i cili lejon që Kriporja të shkatërrohet, që rryma mos të kyçet, që kërkesat tona mos të plotësohen”, theksoi Miranoviq.
Drejtuesi i punëtorëve të Kripores ka thënë që për shkak të mbrojtjes joadekuate të pronës është dorëzuar padia penale kundër administruesit të falimentimit.