Funksionari i Iniciativës qytetare (IQ) Vasel Sinishtaj ka thënë se pret që Kuvendi i Malit të Zi të miratoi këtë vit të gjithë ligjet e nevojshme në mënyrë që Tuzi të jetë komunë në plotë kuptimin e kësaj fjalë.
Ai për “Pobjeda” tha se vet emri i marrëveshjes me Forcën “Aneksi 2” nuk i jep shumë optimizëm. “Qasje më serioze kam pritur nga PDS-ja, sepse, sidoqoftë, këtu kemi të bëjmë me interesin e qytetarëve të Malësisë, ndërsa dihet që Forca atje nuk ka ndonjë ndikim. Së paku duhej të ftonin edhe IQ dhe Alternativën shqiptare. Nuk isha pro asaj që të nënshkruhet aneksi i njëfarë marrëveshjes dhjetë muaj para zgjedhjeve”, shtoi Sinishtaj.
Deputeti i PDS-së Nikollë Gegaj në deklaratë për këtë gazetë tha se partia e tij do të respektojë çdo marrëveshje të koalicionit.
PDS-ja me Forcën kanë nënshkruar më 7 korrik “Aneksin 2” të marrëveshjes, me të cilin janë obliguar që më 30 nëntor të këtij viti duhet të miratohet në Kuvendin e Malit të Zi aktet e nevojshme ligjore për komunën Malësi-Tuz.