Reagimi i Iniciativës qytetare në deklaratën e deputetit dhe kryetarit të Këshillit kombëtar, Genci Nimanbegu, të botuar në të përditshmen “Pobjeda”, në tekstin “Shumë shpejt plotësimi i marrëveshjes”
Për hir të votuesve shqiptarë të cilët votën e vet, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ja besuan Koalicionit shqiptar “Forca për bashkim”, duke menduar se me të vërtet votojnë për subjektet e forta opozitare shqiptare e jo për ata që, pas zgjedhjeve vrapojnë se kush më parë dhe më fortë do të përqafoi pushtetin, Iniciativa qytetare e sheh të nevojshme por edhe si obligim moral, të pyes partnerin nga koalicioni, pra Forcën, se a i pyetën apo konsultuan partnerët nga koalicioni parazgjedhor për marrëveshjet postzgjedhore me Partinë demokratike të socialistëve, e që këto ditë po pret “plotësimin e tyre”; a ju ka verifikuar Këshilli qendror apo Kuvendi këto marrëveshje; pse nuk i bëni publike, së paku që votuesit ta dinë interesin personal të kryetarit dhe nënkryetarëve të Forcës, ngase qytetarët shqiptar skan fare dobi? Sqaroni votuesve si mund të ndodh që të priten plotësimet e marrëveshjeve të parealizuara për gati tre vite apo edhe këto janë premtime parazgjedhore? Pse mungon përgjegjësia për mosrealizimin e tyre? Është momenti që z. Genci Nimanbegu të ju tregojë votuesve të Koalicionit “Forca për bashkim” se cila është merita e tij që kryetari i Kuvendit të Komunës së Tivarit, na qenka shqiptar?
Koha është që kryetari dhe nënkryetarët e subjektit politik Forca ti përmbushin obligimet ndaj partnerëve të Koalicionit parazgjedhor në çdo pikë, ashtu siç janë definuar me marrëveshje politike dhe aneksin e saj, e jo të presin postin e ministrit në Qeveri apo plotësimin e marrëveshjeve të dështuara. Është koha të kërkoni realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara e jo të prisni plotësimin e atyre që s’janë realizuar!? Mbetet e paqartë se si Forca mund të kërkoi respektimin e marrëveshjeve me PDS e mos të respektoi marrëveshjen e nënshkruar me IQ dhe Perspektiven, apo thjesht “plotësimi i marrëveshjeve” është “dhuratë” për shkatërrimin e faktorit shqiptar.
Nëse mandati i deputetit Nimanbegu është definuar dhe afatizuar për dy vite, si mund të zgjatët në dëmin e të tjerëve, konkretisht të Iniciativës qytetare? Ku janë mjetet e fushatës parazgjedhore, pagesat për punën e rregullt të subjekteve për vitin 2013, 2014 dhe 2015? Për ju i vetmi kusht ishte dhe mbeti unifikimi e jo respektimi i marrëveshjes politike dhe aneksit të saj.
Në gjithë këtë mjegull që këto ditë po provoni ta krijoni artificialisht, qartë shihet se kusht për Forcën është kërkesa e PDS-e për votën tuaj në Parlament, ngase ajo është më e sigurt se vet votat e deputetëve të tjerë nga koalicioni i tyre parazgjedhor. Këtë po e dëshmon qëndrimi juaj ndaj propozim ligjit për eksproprijimin e që po tenton të konfiskoj pronën private. Për llogari të kujt po veproni kështu? A mund të pritet unifikimi juaj me ndonjë subjekt shqiptar duke punuar ju në dobi të atyre që na privojnë nga të drejtat tona kombëtare? Çka ndodhi me decentralizimin e pushtetit, sa e përshpejtoi vetëqeverisjen lokale për qytetarët e Malësisë marrëveshja juaj me PDS-e, çka u bë me ligjin për të mirat detare apo edhe konfiskimi i pronave private për ju është “përparim”. Çka po ndodh këto ditë me të punësuarit në TV Teuta apo edhe kjo është në parimet e konkursit të Këshillit kombëtar për të qenë i “përshtatshëm”?!
Sipas jush, z. Nimanbegu, Forca nuk mund të mbes pa deputet dhe se emri i tij nuk ka rëndësi fare. Mund të jetë Genci, por jo Vaseli apo Zana. Është me rëndësi të jetë pro pushtet dhe pjesëtar i pakicave, si ata dy gjyqtarët e gjykatës Kushtetuese, me emërimin e të cilëve u mburret edhe pse nuk kemi asnjë shqiptar. Pyetjet për ju dhe politikën tuaj nuk do të kishin fund kurrë…..
Jo zotëri Nimanbegu! Iniciativa qytetare orientimet e veta politike nuk i ka në parimin: “Rrëzoje tjetrin, për të hipur vetë”. Shqiptarëve u nevojitet Platformë e përbashkët e politikës kombëtare e jo koncentrimi i funksioneve vetëm në disa persona; u nevojitet profesionalizëm e jo përshtatshmëri; u nevojitet liria e fjalës në mjetet e informimit e jo censurë; u nevojitet demokraci e vërtetë e jo diskriminim në rastet kur vendosim për njëri tjetrin. Porosia jonë është: Ndani interesin kombëtar nga ai i biznesit tuaj, se zgjedhjet vijnë shumë shpejt. Për fat të mirë, votuesit do të vendosin se a do të ketë Forca deputetin apo jo e jo ju!
Për Iniciativën qytetare,
Shërbimi informativ