Shtëpia e Shëndetit në Ulqin nga e premtja do të ketë tomografinë e kompjuterizuar (skanerin CT) me vlerë 300 mijë euro, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Ky, siç thonë ato, është donacion i familjes Abazoviq e cila Shtëpisë së Shëndetit i dhuroi mjetet të cilat paraprakisht janë grumbulluar për shërimin e djalit të tyre, i cili, për fat të keq, ndërroi jetë dy vjetë më parë.
Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin, me këtë rast, e vizituan nënkryetari i Qeverisë Dritan Abazoviq dhe ministrja e shëndetësisë Jelena Boroviniq – Bojoviq.
Nënkryetari i Qeverisë vlerësoi se kjo është një ditë historike për Ulqinin. “Ndajmë lumturinë dhe dhimbjen sot në Ulqin. Falënderimet e mëdha i shkojnë ministres Boroviniq – Bojoviq dhe skuadrës së saj, si dhe ekipit të Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, në krye me drejtoren Sadije Hollaj. E arritëm qëllimit e familjes Abazoviq dhe të vëllait tim, Allmirit që më në fund të instalojmë dhe vendosim skanerin në Ulqin”, tha Abazoviq.
“Jam i sigurt që Emroja sot do të ishte shumë krenar për të gjithë ne dhe besoj që ai është në një vend më të bukur. Në këtë mënyrë u kthye borxhi ndaj qytetarëve, në veçanti atyre të Ulqinit, por edhe të tërë Malit të Zi, rajonit dhe nga të gjithë meridianët, të cilët treguan solidaritet të madh në një moment”, tha nënkryetari i Qeverisë.