Sa herë më ka rastisur të shfaq disa mendime rreth vëllimit të parë të një poeti apo poeteshe, kam pasë dy obligime: së pari të vlerësoj hapin e hedhur për të ecur në udhën plot gastare të krijimtarisë dhe, së dyti, për t’iu shmangur superlativave e për t’i thënë se ke arritur qiellin e shtatë, se kushdo do të gajasej me lajthitjen time.
Mbase fjalën “lajthitje” ma solli në këtë deduksion titulli i librit të Flutur Mustafës “Përtej lajthitjes”, të kësaj vajze ulqinake, sot studente në Prishtinë.
Çfarë më bëri përshtypje pasi mbylla faqen e 120-të të këtij libri poetik: mbi të gjitha brishtësia e ndjenjës, thyerja e kufirit metrik për t’i hapur rrugë një mesazhi, figurat letrare të përdorura me kursim, qartësia e mendimit, por edhe ndërtimi i një libri me tematika, mbi të gjitha rinore. Qasjen në sa thashë më sipër do ta filloj nga fundi, nga ajo që mund ta quajmë poemthë e nga e ka marrë edhe titullin libri:
Thuani / Se ai i kishte sytë/ Më të bukurit në botë,
Si ulliri i zi i Ulqinit…
Jam lajthitur, /E di, /Por përtej lajthitjes sime
Je ti!
E domosdo, për moshën e saj, ëndërrat rinore lulojnë si pemët në pranverë e kur ato gërshetohen me motivet e vendlindjes e të Atdheut, sikur marrin një forcë të veçantë. Por jo vetëm ëndërrat rinore, jo vetëm Ulqini i saj, por edhe Buna e Drini, edhe Rozafa e gegnishtja, i zgjojnë asaj frymëzime të vazhdueshme.
Megjithëse e re në moshë e pa përvojë letrare, Flutura arrin ta zotërojë vargun, edhe pse në ndonjë prej poezive një lloj hermetizmi sikur nuk i shkon për shtat tërësisë së poezive të vëllimit. Nën nivelin e poezive më të arrira mendoj se qëndrojnë edhe disa ku ajo rreket të trajtojë probleme të kohës e të shqetësimeve botërore, sikur ikën nga shtrati i lumit të saj të ndjenjave.
Ndër poezitë më të realizuara artistikisht të këtij vëllimi unë do të veçoja “Mungesë e së vërtetës”, “Viktimë teatri” e ku ka një varg briulant “Shekspir i dështuar”, “Emocion”, “Mozaik ulqinak”, poezia mjaft e ndjerë kushtuar Beqir Mustafës dhe veçmas poezia që hap siparin e librit me titullin “Aty jam unë”.
Autores i uroj që në librin e dytë poetik të kapë lartësi të reja të nivelit artistik dhe që poezia e saj të jetë e një vale me poezinë tonë bashkëkohëse.
SKENDER TEMALI
Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër
Shkodër, 28.02.2015