Në Koper të Sllovenisë janë organizuar gjate këtij viti një seri aktivitetesh kushtuar familjeve shqiptare të ardhura në këtë qytet para më shumë se 300 vitesh. Familjet Bruti, Bruno, Boris, etj., kanë patur aktivitet të shquar në jetën shoqërore, atë ndërtuese e klerike për dekada të tëra në këtë qytet.
Ato janë nderuar përmes disa veprimtarive të organizuara nga Shoqata shqiptare “Iliria” dhe Biblioteka Qendrore e Koperit, duke patur mbështetjen e Ambasadave të Shqipërisë dhe të Kosovës, njoftoi ATSH-në, ambasadori shqiptar në Slloveni, Pëllumb Qazimi.
Janë disa fakte që tërheqin vërtetë vëmendjen. Ekzistenca në Koper e familjes shqiptare Bruti nga Durrësi u “zbulua” në fillim të vitit 2015 nga Peter Štoka, njëri nga drejtuesit e Bibliotekës Qëndrore të Koperit. Në një veprimtari kishtare të muajit shkurt 2015, ishte i ftuar edhe drejtuesi i Shoqatës shqiptare të Istrias Sllovene “Iliria”, Heset Ahmeti.
Befasia e pranisë së familjes shqiptare në Koper, u shoqërua dhe me evidencë familjesh të tjera. Këto fakte iniciuan nje vizitë në bibliotekë të ambasadorëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Njeri prej përfaqësuesve të familjes Bruti, Agustin Bruti për më shumë se dy dekada në gjysmën e parë të shekullit të 18-të ka drejtuar meshat në kishën e Koperit.
Por ambasadori Pëllumb Qazimi ka realizuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2015 edhe takime të tjera në Bibliotekën e Koperit, ku janë shkëmbyer dokumente të ndryshme në mbështetje të evidencës së ekzistencës të familjeve shqiptare në periudhën vendedikase në këtë qytet.
Më tej Ambasada ka komunikuar koordinuar me Prof. Marenglen Verli, drejtor i Institutit të Historisë-Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, për t’u bërë pjesë e një projekti të përbashkët hulumtues.
Në shtator në Koper, një numër i madh bashkëkombasish së bashku me autoritetet e Bashkisë së qytetit përkujtuan përmes disa veprimtarive 300 vjetorin e Pallatit Bruti, objekt ku sot është vendosur Biblioteka Qendrore e Koperit. Pallati Bruti është ndërtuar para tre shekujsh nga familja Bruti e ardhur nga Durrësi. Pranë bibliotekës është kisha ku Agostin Bruti në atë periudhë ka drejtuar meshat.
Manifestimet u organizuan nga Shoqata Shqiptare “Iliria” me kryetar Heset Ahmeti në bashkëpunim me Bibliotekën Qendrore Koper, përfaqësuar nga Peter Štoka dhe të mbështetur nga Ambasada e Shqipërisë dhe Ambasada e Kosovës. Nderonin me pjesëmarrjen e tyre Boris Popovič, kryetari i Bashkisë Koper, Valon Murati, ministër i Diasporës në qeverinë e Kosovës, ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi, ambasadori i Kosovës Nexhmi Rexhepi, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë, drejtuesit e kishës katolike Koper, drejtuesi i misionit katolik shqiptar në Zagreb Don Albert Krista, studjues të historisë nga Sllovenia, Shqipëria dhe Kosova.
Në shkurt te ketij viti, Koperi foli shqip. Familja Bruti dhe familjet e tjera fisnike shqiptare Bruni dhe Boris, me aktivitet të shquar dhe shumëplanësh në Koper në periudhën para më shumë se tre shekujve, mblodhën së bashku shqiptarë të ardhur nga kudo. Pjesëmarrës ishte jo vetëm komuniteti shqiptar në Koper e Slloveni. Shqiptarët e ardhur nga Kroacia, Italia, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, zgjeruan më tej përmasat e manifestimeve.
Kryetari i Bashkisë Koper, Boris Popovič, në fjalën e tij përshëndetëse e konsideroi veprimtarinë të veçantë dhe shumë mbresëlënëse. Sipas tij, kur dëgjoi për herë të parë për ekzistencë të shqiptarëve para më shumë se 300 vitesh “ishte surprizë”. Por tani mund të thuhet se “ky është një realitet shumë i hershëm dhe i pakundërshtueshëm”. Madje në këtë qytet ka ekzistuar edhe një rrugë “Rruga e shqiptarëve”.
Të pranishmit i përshëndetën dhe ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kosovës, etj. Veprimtaritë vijuan me meshën në kishën ku para 300 vitesh meshat i drejtonte Agostin Bruti, shqiptari me origjinë nga Durrësi. Mesha i kushtohej familjeve shqiptare Bruti, Bruno dhe Boris, familje me kontribute të hershme në jetën dhe historinë e qytetit Koper. Mesha u zhvillua kryesisht në gjuhën shqipe dhe kjo, për herë të parë.
E veçanta tjetër, ishte se don Albert Krista drejtonte meshën duke patur të veshur veshjen e përdorur para disa shekujve nga Agostin Bruti. Ky ishte një gjest shumë domethënës i drejtuesve të kishës së Koperit. Veshja e shqiptarit para 300 vitesh përdoret sot nga shqiptari i sotëm don Albert Krista.
Në manastirin Françeskan të Shën Anës, u mbajtën ligjërata nga Prof. as. Edmond Malaj, Insituti i Historisë-Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë dhe Prof. Salvator Žitko, kryetar i shoqatës së historianëve të Primorjes sllovene. Prof. Malaj bazuar në të dhëna arkivore e burime të ndryshme u ndal në veçanti në historikun e familjeve shqiptare Bruti, Brono, Boris, etj. me veprimtari në Durrës, Lezhë, Shkodër, Ulqin, Novigrad në Kroaci dhe sidomos në Koper të Sllovenisë.
Referatet e paraqitura do të jenë pjesë e një botimi të veçantë që do të realizohet nga Biblioteka Koper. Ndërkohë një botim i posaçëm dygjuhësh, shqip dhe sllovenisht me informacion për familjet shqiptare u shpërnda për të pranishmit. Po ashtu ne kete kuader u hap ekspozita e pikturës e titulluar “Nostalgji” me autor piktorin e njohur me origjinë nga Kosova dhe banim në Slloveni, Gani Llalloshi.
Të pranishmit vlerësuan maksimalisht punimet e piktorit. Autori në shenjë respekti i dhuroi portretin e Nënë Terezës Kishës Katolike të Koperit. Të pranishmit u përfshinë në këngë e valle shqiptare, duke krijuar te secili ndjesinë e kënaqësisë dhe krenarisë, duke shënuar kështu një ngjarje me shumë rëndësi jo vetëm për shqiptarët që banojnë në Slloveni, por për vetë qytetin e Koperit, si dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet popullit shqiptar dhe atij slloven.
Kryetari i Bashkisë Koper, Boris Popovič priti në një takim të veçantë të ftuarit kryesorë, ku shprehu kënaqësinë e veprimtarive të tilla, kënaqësinë e bashkëpunimit me shqiptarët që banojnë në Koper, si dhe gadishmërinë e tij për vendosje të një bashkëpunimi më të ngushtë me Shqipërinë dhe Kosovën.
Veprimtaritë në përkujtim e nderim të familjeve fisnike shqiptare në Koper, përfaqësojnë një pikë kulmore të angazhimit të shqiptarëve të Sllovenisë. Me këtë rast fjalët më të mira dmund të drejtohen ndaj Shoqatës shqiptare »Iliria« e kryetarit të saj Heset Ahmeti dhe ndaj Bibliotekës Qendrore Koper, me përfaqësues Peter Štoka, i cili është i pari që ka bërë »zbulimin« e ekzistencës së familjeve shqiptare shumë kohë më parë në Koper, si dhe ka nxjerrë prodhimin e vet të verës me emërtimin »Brutis Augustinus«.
Nje rol te rendesishem ka dhe Instituti i Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë me Drejtor Prof. Marenglen Verli për gadishmërinë e bërjen pjesë në projektin e përbashkët, duke u përfaqësuar me Prof. As. Edmond Malaj, i cili dha kontribut shkencor në ditën e nderimit të familjeve të vjetra shqiptare në Koper.
Veprimtaritë e realizuara në Koper për familjet shqiptare me histori në këtë qytet që para më shumë se 300 vitesh, përfaqësojnë cilësi për t’u përshëndetur. Për më tepër, ato nuk u organizuan vetëm nga shoqata shqiptare dhe shqiptarët. Përkundrazi, pala sllovene ishte në mënyrë aktive pjesëmarrëse dhe pjesë e projektit.
Prania e Kryetarit të Bashkisë dhe autoriteteve të tjera të qytetit, studjuesve sllovenë dhe kishës, përfaqësojnë tregues shumë pozitiv. Prandaj mund të thuhet, se më datë 26 shtator »Koperi foli shqip«. Ambasada e Shqipërisë që prej fillimit ka qenë aktive për të kontribuar dhe për të realizuar projektin. Ky projekt do të thellohet më tej, pasi në Koper ka gjurmë të tjera të hershme të familjeve shqiptare.