SOS Telefoni: U MBAJT TAKIMI MULTISEKTORIAL NË KUADËR TË PROJEKTIT “NË TË DREJTA JEMI TË BARABARTA”

Në ambientet e SOS Telefonit për Gra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës në Ulqin, të enjten u mbajt takimi multisektorial në kuadër të projektit “Në të drejta jemi të barabarta”, i financuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografisë e Malit të Zi.

Ky projekt, i cili ka zgjatur 12 muaj, ndodhet në fazën përfundimtare të realizimit dhe ka për qëllim forcimin e mbrojtjes institucionale për gratë viktima të dhunës, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve relevante, përfshirë policinë, gjykatat, prokurorinë, qendrat për punë sociale, dhe vetëqeverisjen lokale. Fokus i diskutimit ishte analizimi i rasteve të rënda të dhunës ndaj grave, pengesat që hasin viktimat gjatë procesit të paraqitjes së dhunës, si dhe sfidat në procedurat gjyqësore.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua dhunës kibernetike, ku për herë të parë në takim ishte e pranishme edhe një grua që po përballet drejtpërdrejt me këtë formë dhune. U theksua se dhuna kibernetike është në rritje dhe se identifikimi i autorëve, të cilët shpesh përdorin profile të rreme në rrjetet sociale, mbetet një sfidë serioze për institucionet.

Sipas pjesëmarrësve, grupet më të rrezikuara nga dhuna mbeten gratë nga zonat rurale, gratë me aftësi të kufizuara, si dhe ato me qasje të kufizuar në shërbime mbështetëse.

Drejtoresha ekzekutive e SOS Telefonit për Gra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës Hatixhe Nelaj në Ulqin theksoi se gratë sot janë më të informuara dhe më të gatshme për të raportuar dhunën, por mbetet shqetësuese tërheqja e tyre në fazat e fundit të proceseve gjyqësore, kryesisht si pasojë e presioneve nga rrethi familjar, bashkëshorti apo komuniteti.

SOS Telefoni për Gra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës në Ulqin, në mënyrë të vazhdueshme, çdo tre muaj organizon takime multisektoriale me institucionet nënshkruese të Memorandumit për Bashkëpunim, ku trajtohen raste të ndërlikuara dhe forcohet koordinimi institucional.

Javën e ardhshme do të organizohet edhe tryeza e rrumbullakët përmbyllëse, ku do të marrin pjesë përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante, shoqërisë civile dhe mediave, dhe ku do të prezantohen rezultatet dhe rekomandimet e projektit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi