Në tryezën përmbyllëse të projektit “Gra të sigurta – Komunitete të fuqizuara” u prezantuan rezultatet shqetësuese të hulumtimit dhe u bë thirrje për financim të qëndrueshëm të shërbimeve të SOS Telefonit.
Informimi më i mirë i grave, reagimi në kohë i institucioneve dhe financimi i qëndrueshëm i shërbimeve mbështetëse ishin në qendër të tryezës së rrumbullakët “Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen e grave nga dhuna dhe diskriminimi”, të organizuar sot nga SOS Telefoni Ulqin .
Ky takim shënoi përmbylljen e projektit “Gra të sigurta -Komunitete të fuqizuara”, të realizuar me mbështetjen financiare të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografisë së Malit të Zi.
Hulumtimi i prezantuar përfshiu 100 gra nga Komuna e Ulqinit, prej të cilave 63 jetojnë në zona rurale. Nga gratë e anketuara, 76% deklaruan se gjatë jetës kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës në familje, 86% nuk i njohin institucionet dhe shërbimet që ofrojnë ndihmë, ndërsa 67% nuk besojnë se do të merrnin mbrojtjen dhe mbështetjen e duhur nga institucionet.
Drejtoresha ekzekutive e SOS Telefonit Ulqin, Hatixhe Nelaj, sqaroi se rezultatet pasqyrojnë përvojat dhe qëndrimet e pjesëmarrëseve në hulumtim dhe nuk mund të përgjithësohen për të gjitha gratë e komunës. Megjithatë, ajo theksoi se ato tregojnë qartë nevojën për informacion më të arritshëm dhe koordinim më të mirë ndërmjet shërbimeve të mbrojtjes.
Vëmendje të veçantë kërkon e dhëna se 43% e grave të anketuara nuk i njohin fyerjet, poshtërimin, kërcënimet dhe kontrollin e sjelljes si forma të dhunës. Ndër pengesat për kërkimin e ndihmës veçohen turpi, frika dhe varësia ekonomike. Për gratë nga zonat rurale, largësia nga institucionet dhe mungesa e transportit e vështirësojnë më tej qasjen te mbështetja.
Nelaj theksoi se mbështetja duhet të përfshijë komunikim konfidencial, orientim të qartë dhe mbrojtje në kohë, si dhe ndihmë psikologjike, sociale dhe ekonomike pas raportimit të dhunës.
Duke folur për 25 vitet e veprimtarisë së SOS Telefonit Ulqin, ajo vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të mirë me policinë, Qendrën për Punë Sociale, institucionet shëndetësore, gjykatat dhe prokurorinë. Falënderoi gjithashtu Komunën e Ulqinit, e cila siguron hapësirën e zyrës për punën e organizatës.
Ligjëruesja BiljanaZekoviq i vlerësoi si shqetësuese gjetjet e hulumtimit dhe përgëzoi organizatën për përkushtimin shumëvjeçar në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Ajo tërhoqi vëmendjen ndaj qëndrimeve tradicionale që e kufizojnë rolin e gruas te punët e shtëpisë dhe kujdesi për fëmijët, ndërsa dhunën e konsiderojnë çështje të brendshme familjare. Theksoi se këto qëndrime duhet të ndryshojnë, sepse dhuna përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe kërkon reagimin e institucioneve dhe të komunitetit.
Zekoviq mbështeti edhe iniciativën që SOS Telefoni Ulqin të njihet si shoqatë me rëndësi të veçantë për komunitetin lokal.
Lidhur me këtë, Nelaj i bëri thirrje Komunës që të parashikojë një buxhet të posaçëm vjetor për funksionimin e shërbimeve bazë të organizatës. Ajo shpjegoi se financimi i qëndrueshëm është veçanërisht i rëndësishëm për personelin që pranon dhe trajton rastet, si dhe për angazhimin e personit të besuar që i shoqëron gratë pranë institucioneve.
Nelaj theksoi se vazhdimësia e ndihmës për gratë dhe fëmijët nuk duhet të varet vetëm nga financimi përmes projekteve.
“Çdo grua që kërkon ndihmë meriton më shumë se një premtim. Ajo meriton mbrojtje reale, siguri dhe drejtësi”, përfundoi Nelaj.








