Një vend që padyshim ëndërron çdokush të jetojë, por si të jetojë? Në një vend që kafeja mban aromë detit, por vallë me çka ta shijojnë (paguajnë)? Në një vend që mbizotëron qetësia dhe liria , por politika bën çmos që ta shuaj. Shtrohet pyetja, si të jetojë rinia në këto kufizime ekstreme?
Të fillojmë nga emri i këtij qyteti Ulqini, emër i cili edhe sikur ta harronim ne, nuk e harron dot Zoti. Vend që para 20 a më shumë viteve kishte atmosferë krejtësisht tjetër, ku çdo gjë ishte në vendin e vet.
Të rinjtë kishin mundësi të punësoheshin ku pagat ishin më të larta, të shkolloheshin, të kenë një jetë normale dhe një të ardhme të ndritur. Por, si të jetojmë sot? Të kryesh shkollimin e lartë, është si të mos e kryesh, të thonë të nevojitet magjistratura, mandej doktoratura, praktika njëvjeçare, provimi shtetëror…dhe më pas ke përfunduar në shtëpi ose të punësohej jashtë profesionit tënd .
Nëse arrin te të punësohesh, duhet pritur me muaj të tërë për një page minimale që nuk mund t’ia dalësh as prej muajit në muaj! Xhelozia, inati, urrejtja e kanë arritur kulmin duke shkatërruar shoqërinë. Kalojmë te Sporti, aktivitet që nuk e përkrah askush nga Komuna Ulqinit, një komunë me popullsi kaq të vogël, presim që ta financojnë, biznesmenë nga Tokat Arabe ose Koreja, ku këto të fundit mbas një sezoni fantastik me skuadrën e Otrant-Olimpik, për fat të keq ndodhën pranë largimit nga Qyteti dhe klubi ynë.
Po keto talentë kush do ti marrë përsipër, te gjallët apo të vdekurit!? Por, na duhej edhe kjo Politika, mund ta quaj një paralizë e cila ka paralizuar çdo shpresë të kësaj rinie që ka ky qytet…
Po çfarë ju mbetet tjetër, të marrë, rrugët e mërgimit, apo të vazhdojnë të vuajnë dita më ditë, duke u ballafaquar me demoralizime të përditshme. Dëgjoj duke përshperitur që është prishur vendi, ka vdekur Ulqini, është helmuar ky vend…por mendoj se vendin e kanë prishur njerëzit, të cilët nuk mendojnë për shoqërinë dhe Ulqinin, por për interesat e tyre personale. Dikush mund të thotë shpresa vdes e fundit. Por deri kur duhet vallë shpresuar?
Gazetar : Suad Bejta