Të gjithë i kujtojmë vitet e fëmijërisë dhe ndër kujtimet që nuk i harrojmë asnjëherë janë lojërat me shokët e shoqet dhe aventurat e bukura të asaj moshe.
Sot fëmijët tanë përballen me një përvojë tërësisht të ndryshme nga gjeneratat e mëhershme. Për shumë fëmijë lëvizjet dhe lojërat jashtë janë krejtësisht minimale në krahasim me vitet e mëhershme.
Sot fëmijët kalojnë kohë të konsiderueshme në video lojëra, në TV, në përdorimin e smartphonë-ve, në përgjithësi para ekraneve të pajisjeve elektronike, gjë që po lë gjurmë në zhvillimin e tyre fizik e mendor dhe kohëve të fundit po përballemi gjithnjë e më shumë me probleme të ndryshme të shëndetit mendor.
Përhapja në masë të madhe e kulturës digjitale është një tundim i madh për fëmijët për të qëndruar brenda dhe mungesa nga ana tjetër e këndeve të lojërave e përforcon edhe më tepër dëshirën për t’ë kaluar kohë para ekraneve të pajisjeve elektronike dhe larg lojërave në natyrë.
Nga bisedat me shumë prindër, ky është një fenomen shumë shqetësues për momentin dhe dikton gjithnjë e më shumë nevojën e madhe për këndet e lojërave që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve.
Ekspertët e një sërë fushash studimore vërtetojnë faktin se loja është një aspekt thelbësor I të mësuarit te fëmijët. Fëmijët përmes lojës zhvillojnë një sërë aftësish dhe shkathtësish si: koordinimin, aftësitë motorike, aftësitë kognitive, sociale, aftësitë e komunikimit dhe jo vetëm, mësojnë mësime të rëndësishme rreth normave sociale dhe ndërveprimin me të tjerët.
Krijimi i këndeve të lojërave nuk është luks, por një kusht thelbësor për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe për këtë arsye duhet t’u bëjmë një thirrje publike aktorve përgjegjës të qeverisjes lokale që ta kenë si prioritet të punës së tyre sepse do investojnë në parandalimin e shumë problematikave të ardhshme.