Xhudistja Majlinda Kelmendi ka arritur ta fitojë medaljen e artë në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Rio de Janeiro, duke e fituar në finale brazilianen Erika Miranda.
Siç edhe u prit, shkruan gazeta “Tema”, Kelmendi pati punë jashtëzakonisht të vështirë ndaj Mirandës e cila konsiderohej pak më shumë favorite se xhudistja jonë.
Mirëpo, kjo nuk i bëri përshtypje xhudistes kosovare e cila ishte plotësisht e koncentruar dhe e dinte shumë mirë se për çka kishte marrë pjesë në këtë kampionat. Gjatë gjysmës së luftës, Majlinda arriti ta hedh në tokë Mirandan me një ‘wazzari’ dhe pastaj e bllokoi atë në tokë deri sa gjyqtari i ndeshjes e shpalli fituese të finales.
Majlinda nuk i besonte veshëve të saj kur e dëgjoi dongun e përfundimit të duelit dhe pastaj kur e kuptoi se çfarë kishte arritur, filloi të kërcente dhe të festonte si e çmendur, e më pastaj shkoi për ta përqafuar trajnerin e saj, Driton Kukën.