Ministri i arsimit Predrag Boshkoviq, kryetari i komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka dhe përfaqësuesi i diasporës së Ulqinit në SHBA Cafo Boga kanë vendosur sot gur-themelin për objektin e ri të shkollës zonale në Sukubinë.
Ato, në prani të një numri të madh të vendasve, kanë thënë se në vitin e ardhshëm shkollor nxënësit dhe stafi arsimor i kësaj zone do të shkojnë në institucionin modern arsimor.
Ky objekt, i cili do të kushtojë 297 mijë euro, bashkërisht e financojnë Qeveria e Malit të Zi, komuna e Ulqinit dhe diaspora.
“Iniciativën e nisëm para shtatë vitesh, por vetëm tani hasëm në ato të cilët këtë projekt e sollën para realizimit”, tha Boga.
Sipas fjalëve të Boshkoviqit, ndërtesa e re do të rrisë cilësinë e arsimit, në rastin konkret në gjuhën shqipe.
Gjeka shprehu bindjen se kjo ngjarje shënon fillimin e investimeve të mëdha në komunë të Ulqinit.
Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë Alim Jahja, në kuadër të së cilës punon paralelja në Sukubinë.