Mesazh urimi kryeministrit Abazoviq dhe kabinetit qeveritar nga kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe sekretari i Partisë Demokratike, Haxhi Sulejmani.
Qeveria e 43-të e Malit të Zi është testi i radhës i kaluar ne sukses nga ky shtet. Për më tepër, moduli i përkrahjes së një qeverie të pakicave së cilës do t’i prijë një shqiptar është një tjetër hap pjekurie jo vetëm për Malin e Zi por për të gjithë Ballkanin.
Precedenti është krijuar. Është fakt. Edhe përfaqësuesit e pakicave nacionale mund të marrin poste udhëheqëse shtetërore në Ballkan. Ky është një hap i rëndësishēm për demokracinë dhe bashkëjetesën e të gjithë komuniteteve dhe kulturave.
Kryeministri Dritan Abazoviq dhe ekipi i tij kanë shumë sfida para vetes, mirëpo vullneti dhe orientimi i tyre i qartë pro-perëndimor kanë shanse të mira që çdo gjë ta bëjë më të lehtë.
Në kuadër të kësaj qeverie, për herë të parë mandatohen dy ministra nga partitë nacionale shqiptare, Fatmir Gjeka dhe Marash Dukaj, çka përbën tjetër hap emancipues të këtij shteti. Partia Demokratike dhe kryetari Gjeka ndjehen komod teksa përkrahin një qeveri që e ka bekimin e SHBA-ve dhe BE-së. Demokracia dhe integrimet euro-atlantike janë dhe mbeten preambulë e veprimtarisë sonë.
Me këtë rast, qeverisë së re dhe kryemandatarit Abazoviq, urimet më të mira me besimin që do të arrijnë ta çojnë përpara agjendën integruese në të gjitha instancat. Ulqini siç krenohet shumë me “qeverinë më ulqinake”, po kaq të shumta i ka edhe pritshmëritë!
Ju priftë e mbara!