Sutki Malohoxha: CAFI I HASANAGËS (2)

cAFIMarrëdhëniet e qytetit të Ulqinit me Shkodrën kanë qenë të mëdha. Këto marrëdhënie ishin shumë të afërta dhe me shumë elemente të përbashkëta, sidomos në ceremonialin e dasmave dhe në shumë aspekte tjera të jetës, kulturës, folklorit etj. Një ndër këto elemente është edhe tradita e bejtexhinjve ndër të dy këto qytete.
Një ngjarje e bukur e kësaj tradite ndodhi këtu në Ulqin. Hafiz Ali Riza Ulqinaku e kishte ftuar Hetin e Mulla Sylos (humorist e satirist i njohur shkodran) në një dasëm në Ulqin. Këtu Hetin e pritën me shumë përzemërsi dhe respekt për emrin dhe namin e madh që e kishte fituar. Në këtë gëzim ishte ftuar edhe bejtexhiu Cafi i Hasanagës. Të dy bejtexhinjtë i vendosën përballë njëri-tjetrit në sofrën e dasmës, të rrethuar nga shumë dasmorë. Të gjithë prisnin me padurim fillimin e “duelit”. Miku i Hetit, Hafiz Ali Riza Ulqinaku, pasi uroi çiftin për lumturi, i ftoi dy bejtexhinjtë të fillonin, duke krijuar vetë ai një bejte aty për aty:
Ballë për ballë dy bejtexhinj
njeni prit e tjetri qit,
tesh na kënaqin tuj këndu
e tuj qesh tesh bim tiftik.
Le t’i lutena Perendisë
për këtë darsëm në Ulqin,
Cafi i Zyles n’bejte idhnak
Heti i Sylos për marak.
Heti, duke e parë vehten të detyruar, i drejtohet Cafit duke hapur kështu “dyluftimin” me bejte:
Po ndigjo djali i Hasanit
Shumë kurbane bahen n’Ulqin,
Djem të mirë ka gjithkund
E këtë gja ti mirë e din.
Po si unë nuk gjen kërkund
Kur t’vijë dita e Ramazanit
Syltepriç për natë do t’ha
E mish dashi pa ja nda,
Kurse lëkurën në Pazar
Do ta ndërroj me një gomar
E me te nëpër Ulqin
Ndonjë mik kam me shetitë,
Me nji kangë plot ambëlsim
Do ta rrej nji vajzë n’Ulqin.
Cafi
I mjeri ti, i mjerë me okë
Pasi bari që binë mbi tokë,
Jam tuj ndi se çka sajan
Ti veç vedin pa livdan.
Pa na vjen vera karshi
Dhe na ban ma marakli.
A pa je tuj m’ndigju
Për këta fjalë që pa thu,
Ishalla t’çan Zoti nji strokë
E te hupë ty me gjithë shokë.
Tuj ec gjatë me ardh këtu
Shonjat rrugës t’janë captu,
Ktheju n’Shkodër pa vanu
S’të nep Ulqini vajzë për gru.
Heti
Mustafë aga në këto anë
Bejtexhi i parë me nam,
Ka harru me kë po flet
Për Shkodranë bejte po qet.
Unë n’Ulqin s’desha me ardhë
Porse m’pruni zemra e bardhë,
M’pruni miku, zotni burrë
Që i don bejtet si n’furrë.
Por po t’tham se s’më kap tuta
Edhe ne i hedhsh mizat me grushta,
Kangë e bejte plot shyhret
I kam këndu për lezet.
Ndër shumë kangë që kam kriju
Ulqinakët i kam livdu.
Cafi
Ti dynjanë, apo dynjaja të mundi ty?
A e mblodhe miletin ti, a mileti ty?
Ah, kuku, prep pa e livdan vedin
Si ma i miri i dynjasë,
Si shkadran e ke adetin
Në Ulqin ti me lanë nam.
Heti
Ali Riza, je tuj ndigjue
Ç,ka po thotë Cafi për mue?
Ky Caf agë kafexhia
Nuk din fjalë ma shumë se fëmia.
Me këto bejte pa lezet
Asht marrue për ibret,
Nuk ka ba kërkend me qeshë
Veç da fytyra me u ngërdheshë.
Ti me Shkodër mos u kap
Asht nji punë pa terezi,
Nuk ka qenë kurrë adet
Me sha mikun në shtëpi.
Cafi
Mas u friga se të gërgava
S’ke qillu ma i mirë se unë,
Këta janë dokrra e përralla
I kam bejtet si llakum.
Ti terzi me gjyplanë
Unë i shkreti kafexhi,
Me shumë bejte e me kangë
Tanë Ulqinin ta çojmë n’kamë.
Heti
T’u rritë ndera e t’lumtë goja
Bukur tash e ke fillu,
Po na shkoi me bejte mbarë
Javën tjetër m’ke n’Tivar.
Tash pak bejten le ta ndalim
E me gaz kangën ta marrim,
T’kënaqim dhandrin edhe nusen
Si dy pëllumba në nji gem,
Na i ruejtë dora e Perendisë
Këto dy gema të dashnisë.
Cafi Hasanagës, siç theksuam më parë, nuk i takon vetëm frymës laike në krijimtarinë e bejtexhinjve ulqinakë, por bën pjesë edhe në atë të frymës fetare. Ky bejtexhi ka thurur edhe një Ilahi, e cila sot në Ulqin përmendet si “Ilahija e Cafit Hasanagës. Nga harresa e ruajti e ndjera Hanko Bejaze. (Tekstin e Ilahisë e kam shënuar ngavn kaseta me zërin e të ndjerës Bejaze. Kasetën e kishte ruajtur i ndjeri Muhamet Kollari nga Ulqini). Këtë Ilahi po e japim në versionin e plotë të saj:
Bismilanej par Allah pa bajm nji dua.
Bismilanej par Allah pa bajm nji dua,
pa lusim Allahun Allah qi na dha n’dyrnja.
Men’ e sy e gjuh Allah vesh e dur e kam
gjith azadet n’ven Allah shyqyr na i ke dhan.
Gjith azadet n’ven Allah shyqyr na i ke dhan,
danji sen’ të mangut Allah shyqyr s’na i ke lan.
Danji sen’ të mangut Allah s’na ke lan,
megjithçfar nimetesh Allah na ke ba iqram.
Megjithçfar nimetesh Allah na ke ba iqram,
danjinës shyqyrin Allah s’mund t’ia bajm taman.
Veç ti qi je Allah, Allah kydret sahibi
me na fal ti neve Allah jemi rab asi.
Aman ja Allah thrrasim ja rabi
ta gjynahet tona Allah mas naj ma karshi.
Aman ja Allah jemi rab adil
ta gjynahet tona Allah na i ban tebdil (zhduk).
Aman ja Allah jem i gjynahqar
kur të vijmë ke ti e Allah neve me na fal.
Aman ja Allah na kemi uzdaj
at natyn e vetme Allah ti na bafsh kallaj.
Aman ja Allah rabi mystehan
shpirtat kur t’na i merrsh e Allah na i merr me iman.
Ti je nji Allah, Allahu egjber
vorrin na ndriça e Allah mas na le në terr.
Aman ja Allah kur të dush ti vet
me nji send të pakt Allah na shtje në xhenet.
Aman ja Allah thrrasim ja mahbub
kur të vijmë ke ti e Allah ti na pritsh me t’but.
Aman ja Allah sa jemi n’dyrnja
sa jemi laike Allah mas na nep xheza.
Sa jemi laike Allah mas na nep xheza
për hatyr të atij e Allah Ahmet Mustafa.
Ti ja ke madhnu Allah ç’se ke jeretis
emnin e ke afrue Allah me emën t’Madhnis.
Bes e kemi xan Allah pa pamun me sy
si Resulit tan’ Allah ashtu edhe ty.
Aman pyr hatyr atij pejgamber
fytyrat na i zbardhe e Allah në ruzi mahsherr.
Kush e ka ujdis aman o njikyt dua
Cafi i Hasanagës aman i thojnë Mustafa.
Kushda qi ta knojn aman ja laç amanet
hem kush ta ndigjojn aman të napin rahmet.
Dhe në vend të përfundimit një bejte, krijuar nga vetë autori i këtij teksti, dedikuar Cafit Hasanagës, bejtexhiut të njohur ulqinak.
Mustafë-agë jetu n’kyt anë
bejtexhi ke qenë me namë,
në kafahane miqë ke pritë
me shkadranë bejte ke qitë.
T’kanë thanë Cafë-agë kafexhija
shpesh e ke ndi vejdin si fëmija,
Cafi i Zylës n’bejte idhnak
ka qitë bejte për marak.
Kuvendu ke me shkadranë
nuk i ke lanë me ba namë,
me dashni e rrespekt të madh
ke qitë bejte si nepër gardh.
Kafahanja jote tanë lezet
ka mbledh shokë për muhabet,
me shumë bejte e me namë
tanë Ulqinin e ke çu n’kamë.
Ilahinë na ke lanë amanet
e ke ujdis par si dua,
kur e lexanj të nap rahmet
emnit t’kanë thanë Mustafa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…