…Në Mal të Zi, ku shqiptarët zënë rreth 5% të popullsisë (sipas regjistrimit të vitit 2011) dhe janë rreth 8 forca politike që veprojnë ndër ta, ku për çdo qytet shqiptar i bie të ketë përafrisht nga dy parti politike, aq sa kjo ndarje ka rrezikuar dhe drejtimin e komunave shqiptare (rasti i Ulqinit). Protestat e shqiptarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre nuk gjejnë përkrahjen e të gjitha forcave politike, të cilat nuk veprojnë në unison. Politikanët shqiptarë në këtë vend janë mjaftuar me përcjelljen në institucione ligjvënëse dhe ligjzbatuese të kërkesave të tyre, por nuk kanë bërë përpjekje dhe punë të mjaftueshme për të korrur rezultatet e duhura për bashkëqytetarët e tyre, në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave.
Siç duket, fragmentizimin politik e kemi në gjen, ku më shumë kemi gjeneralë se ushtarë dhe për këtë fajin nuk na e ka Evropa e vjetër, por vetë ne. Për sa kohë ne do të jemi të ndarë, pa ide, vizion dhe premisa dialogu, tokat autoktone shqiptare do të vazhdojnë të lëngojnë; për sa kohë privatja do mbizotërojë mbi publiken, personalja mbi të përbashkëtën, pragmatizmi mbi objektivizmin, politika shqiptare nën vellon e evropianizit, do të vijojë të jetë e ndryshkur dhe pa mundësi pastrimi; për sa kohë nuk do të ketë tendencë për ndryshime të vërteta, kjo situatë do të vijojë të mbetet e fjetur, pa kokë, pa zgjidhje dhe pa të ardhme si mbrojtëse e të drejtave të shoqërisë shqiptare në tërësi. Kjo është një politikë që mbetet e vjetër në një mijëvjeçar të ri, që sjell zhgënjim më shumë se shpresë; mosbesim më shumë se siguri; indiferentizëm për të përgjithshmen më shumë se angazhim për të përbashkëtën; konflikt më shumë se dialog dhe kjo ndodh, sepse mungon vullneti për të vënë interesin e përgjithshëm të njerëzve dhe kombit, përpara interesit të ngushtë individual.
Por a ka njerëz të mirë që punojnë me dashuri të sinqertë për vendin? Sigurisht që ka dhe do të reshten të jenë edhe në të ardhmen. Por deri më tash, e mira e tyre është lënë në përkrahje të pamjaftueshme dhe nuk po mundet ende të mbizotërojë mbi këtë terren makutërie, që po na dëmton të gjithëve. (Teuta Nunaj, Gazeta Shekulli)