Në redaksinë tonë mbërriti kumtesa e Forumit rinor të UDSH-së, të cilën e nënshkruajnë Samir Tafili dhe Adnan Alibegu, të cilën publikojmë në mënyrë integrale.
Se sa e vështirë është gjendja dhe si po katandiset qyteti jonë mund ta dallojë lehtësisht çdo qytetar. Në 15 muaj qeverisje vërehet në çdo hap një paaftësi e theksuar në menaxhimin dhe zgjidhjen e problemeve të shumta të qytetit, ndërsa pushtetmbajtësit me sjelljen e tyre dita ditës tregojnë se pak i intereson zhvillimi i qytetit.
Partitë politike, të cilat dikur ishin “avokatë” të transparencës në pushtetin lokal, me hyrjen e tyre në qeverisje nuk e shohin të udhës që para qytetarëve të dalin qoftë me një raport vjetor të punës së tyre.
Përkundrazi, ne në vend të raporteve vjetore, në media, të shkruara dhe online, kemi gjithnjë e më shumë të dhëna për keqpërdorim të parave të qytetarëve.
Gjatë vitit 2014 për sport u shpenzuan 73.000 euro. Jemi absolutisht të vetëdijshëm që, duke marrë parasysh gjendjen e mjerueshme në të cilën gjenden klubet e Ulqinit, mjetet e ndara janë të pakta për një funksionim normal të tyre. Mirëpo, ajo që brengos më shumë dhe që duhet theksuar është mënyra se si u ndanë këto para. Nga informatat e publikuara në media mësuam se gati gjysma e këtyre parave u shpenzuan për financimin e klubeve sportive nga Podgorica dhe atyre fiktive nga Ulqini, ekzistenca e të cilëve është pikëpyetje e madhe!
Për fat të keq, keqpërdorimet financiare nuk e prekën vetëm sportin. Shpenzimet për Kontratat e shërbimit, të cilët zakonisht janë mjetet që ndahen për pagat e personave të cilët nuk janë të punësuar në Komunë por që angazhohen përkohësisht nga ky institucion, me buxhet të vitit 2014 ishin paraparë në vlerën prej 31.000 euro, ndërsa për këtë qëllim u shpenzuan më tepër se 100.000 euro! Kur kemi parasysh që punëtorët e Komunës tashmë janë në muajin e gjashtë pa rroga, ndërsa pagat e fundit që i morën ishin nga mjetet e kredisë, atëherë ky shpenzim është tërësisht i pakuptimtë dhe paraqet abuzim me paratë e qytetarëve.
Tejkalime buxhetore kemi edhe tek shpenzimet e bëra për kënaqjen e oreksit të pushtetmbajtësve. Për reprezentacione të Kabinetit të kryetarit të Komunës, për vitin 2014, janë paraparë 18.000 euro, ndërsa u shpenzuan plotë 40.000! Gëzohemi që Kabineti i kryetarit gëzon shëndet dhe apetit të mirë, por shqetësimi ynë qëndron tek fakti se këtë apetit e paguan populli.
Abuzimet nuk përfundojnë këtu. Për tre makina, me vlerë tregu rreth 11.000 euro, e që janë blerë për nevoja të Komunës, u shpenzua dyfishi i parave, gjegjësisht pak më pak se 22.000 euro.
Vetëm për këto 4 pika të buxhetit, tejkalimi i shpenzimeve ishte më shumë se 140.000 euro, hiç më pak se buxheti vjetor i Shtëpisë së kulturës. Këto mjete, të cilat janë të mëdha për një Komunë si kjo e Ulqinit, mund të shpenzoheshin në shumë mënyra që të ketë dobi qyteti dhe qytetarët. Mirëpo, keqshpenzimi i tyre është treguesi më i mirë i vizionit zhvillimor të pushtetëmbajtësve. Unioni demokratik i Shqiptarëve në ditët në vijim do të dalë edhe me abuzime tjera të kryera nga qeverisja lokale.
Në fund, ftojmë pushtetarët që ti thërrasin mëndjes dhe i përkujtojmë që pushteti nuk është për të kënaqur epshet dhe teket e tyre, por për të zgjidh problemet serioze të Komunës së Ulqinit, e cila dita ditës po mbytet dhe po i zihet fryma.