Kreu i PS-së, Edi Rama ka zhvilluar të shtunën një takim me Kryeministrin turk Erdogan në prani të disa ministrave turq, por dhe të ministrave të kabinetit të tij, të bërë publikë pak ditë më parë.
Takimi ka zgjatur më shumë se dy orë dhe sipas Ramës nënkupton një plan të gjërë bashkëpunimi në proces.
Ne profilin e tij në Twitter në mbyllje të takimit Rama ka falënderuar për mikëpritjen që i është bërë.
“Rreth 2 orë e 30 min me km Erdogan e një serë ministrash të dy palëve. Një plan i gjërë bashkëpunimi në proces. Mikpritje e shkëlqyer!”, shkruan Rama.
Një ditë më parë ai po përmes adresës së tij ne Twitter njoftoi per takimin, shoqëruar me një foto nga Bosfori gjatë një udhëtimi në ngushticën që ndan dy kontinentet.
“Nesër takimi me Kryeministrin dhe ministra të dy palëve për pikat e punës konkrete mes dy qeverive”, shkruante dje Rama në Twitter.
Ky është takimi i parë që Edi Rama zhvillon me kostumin e Kryeministrit të zgjedhur, i shoqëruar me ministrat e tij përballë homologëve të huaj. Mësohet se Rama do të shoqërohet nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ai i Transporteve, Edmond Haxhinasto.
Para zgjedhjeve, Rama zhvilloi një takim me Kryeministrin Erdogan, nga ku mori mbështetje për qeverinë e re në disa fusha të ekonomisë shqiptare.