Të marten, në ambientet e Komunës së Ulqinit u mbajt një takim kushtuar përmirësimit të infrastrukturës atletike dhe krijimit të kushteve që Ulqini të bëhet një qendër e rëndësishme e atletikës në Mal të Zi.
Në takim morën pjesë Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, Sekretarja e Sekretariatit për Sport dhe të Rinj, Enisa Martinović, këshilltari i kryetarit Asllan Llunji dhe arkitekti kryesor i qytetit Mehmet Milla, si dhe përfaqësues të Federatës së Atletikës së Malit të Zi: Milorad Vuletić, kryetar i Federatës, Milan Madžgalj, sekretar i përgjithshëm, si dhe Ljubiša Marović, kryetar i Klubit Atletik “Orion” nga Ulqini.
Tema kryesore e bisedimeve ishte pista atletike në Ulqin dhe mundësia e adaptimit të infrastrukturës ekzistuese në përputhje me standardet evropiane, me qëllim që sportistëve t’u sigurohen kushte cilësore për stërvitje, përgatitje dhe gara.
Gjatë takimit, Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, shprehu gatishmërinë e administratës lokale për të mbështetur këtë projekt, duke theksuar se Ulqini prej vitesh njihet si destinacion për përgatitjet dimërore të shumë klubeve atletike dhe sportistëve, si dhe se ekziston një bazë reale që qyteti të shndërrohet në një tjetër qendër të atletikës në Mal të Zi.
Përfaqësuesit e Federatës së Atletikës së Malit të Zi i njohën të pranishmit me standardet që duhet të përmbushin pistat moderne atletike dhe shprehën kënaqësinë për iniciativën e Komunës, duke shprehur gatishmërinë që Federata të ofrojë mbështetje profesionale në zhvillimin e mëtejshëm të projektit.
U konkludua se në periudhën e ardhshme do të përcaktohen hapat konkretë dhe zgjidhjet teknike, me qëllim që Ulqini të pajiset me një pistë moderne atletike, në dobi të sportistëve, të rinjve dhe zhvillimit të turizmit sportiv.
Me respekt,
Kabineti i Kryetarit









